Bota

Shtetet amerikane vazhdojnë të rihapen

Është bërë pothuajse një javë prej kur 50 shtetet amerikane kanë nisur të rihapen, mirëpo në disa prej tyre procesi është më i ngadalshëm.

Xhorxhia, një prej shteteve të para që është rihapur, është përballur me rreth 600 raste të reja me koronavirus në baza ditore, dhe deri më tani nuk ka regjistruar shpërthime tjera.

Miçigani, në të cilin vendimi i qëndrimit në shtëpi është zgjatuar deri më 12 qershori, ka nisur të lehtësojë masat në zonat e prekura më së paku, ashtu sikurse Detroiti.

Duke nisur nga dita e martë, bizneset e veturave dhe shitjeve do të mund të rihapen për një numër të kufizuar konsumatorësh.

Dyqanet dhe restorantet tashmë janë rihapur në disa zona të izoluara në pjesën gjysmë-perëndimore të shtetit.

Një Nju Xhersi, ku palestrat, parukeritë dhe bizneset tjera që kërkojnë kontakt të afërt, janë të mbyllura ende, një grup prej 500 pronarëve të bizneseve ka njoftuar se do të injorojë rregullat për të rihapur bizneset më 1 qershor.

Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri. Ato kanë regjistruar mbi 1.6 milionë të prekur dhe mbi 98,000 të vdekur nga ky virus.