Kosova

Shtëpitë botuese nuk i pranojnë rezultatet për tekstet shkollore

Udhëheqës të shtëpive botuese, autorë të librave dhe shoqëria civile kanë kërkuar që tekstet e reja shkollore të shpallura fituese të mos botohen. Procesi i vlerësimit, sipas tyre, ka qenë i manipuluar.

Shqetësimet e tyre janë se as tekstet e reja nuk garantojnë cilësi, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) më 17 qershor i ka shpallur rezultatet finale të teksteve të klasave 1, 2, 6, 7, 10, 11. Sipas rezultateve, fituesja më e madhe në këtë proces është shtëpia botuese “Dukagjini”.

Në listën e rezultateve MASHT-i ka shpallur edhe tekstet fituese, edhe tekstet alternative. Kjo meqë tekstet në vitin e parë do të jenë në pilotim, ndërkaq nëse ka vërejtje mund të zëvendësohen me tekstet e tjera alternative.

Drejtori i shtëpisë botuese “Libri shkollor”, Bajram Shatri, ka thënë se rezultatet duhet të anulohen dhe të bëhet një rivlerësim i teksteve nga recensentë jashtë Kosovës. Kjo pasi, sipas tij, procesi ka qenë i manipuluar.