Bota

Shtëpia e Bardhë refuzon thirrjet për anulimin e samitit Trump-Putin

Shtëpia e Bardhë po refuzon thirrjet nga anëtarët e Kongresit për të anuluar samitin në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, pas ngritjes së padive për zyrtarët rusë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ngritja e padive ndaj 12 zyrtarëve rusë të inteligjencës më 13 korrik për ndërhyrjen kibernetike dhe publikimin e mijëra dokumenteve dhe e-maileve që dëmtonin kundërkandidaten e presidentit Trump, Hillary Clinton, erdhi vetëm tri ditë para se Trump është paraparë të takohet me presidentin rus, Putin në Helsinki.

Paditë – ku zbulohet një komplot i dyshuar në nivelet e larta të Qeverisë ruse, me qëllim që të dëmtojë zgjedhjet dhe kandidaten demokrate Hillary Clinton, përmes publikimeve të shumta në QikiLeaks javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve – kanë shtyrë shumë demokratë në Kongres, por edhe publikun, që të bëjnë thirrje që samiti Trump-Putin të anulohet.

Senatori republikan, John McCain ka thënë se samiti duhet të anulohet, nëse Trump nuk është i gatshëm që ta paralajmërojë Putinin se do të “paguajë çmim të lartë për agresionin e vazhdueshëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe demokracive në mbarë botën”.

“Nëse presidenti Trump nuk është i gatshëm që ta mbajë Putinin përgjegjës, atëherë nuk duhet të mbahet samiti”, ka thënë McCain.

“Pas publikimit të këtyre padive nga Departamenti i Drejtësisë, se këta komplotistë rusë sulmuan demokracinë tonë dhe po komunikonin me amerikanët për të ndërhyrë në zgjedhjet tona, presidenti Trump duhet të anulojë menjëherë takimin e tij me Vladimir Putinin”, ka thënë senatori demokrat, Jack Reed.

Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer ka thënë se Trumpi duhet të refuzojë të takohet me Putinin, derisa Rusia të ndërmarrë hapa dhe të dëshmojë se nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme.

Schumer ka thënë se paditë ndaj zyrtarëve të inteligjencës ruse janë “dëshmi të reja që të gjithë, përveç presidentit, i kuptojnë: Putini është një kundërshtar që ka ndërhyrë në zgjedhjet tona për ta ndihmuar presidentin Trump që të fitojë”.

Por, Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders i ka refuzuar këto thirrje, duke thënë se samiti do të mbahet. Ajo ka shtuar se në ngritjen e padive nuk akuzon asnjë zyrtarë të fushatës së Trumpit apo ndonjë amerikanë tjetër, se ka qenë i përfshirë në ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhje.

“Ky njoftim (ngritja e padive) nuk ndikon në takimin e së hënës (takimi mes Trumpit dhe Putinit)”, ka thlnl Garret Marquis, një zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ministria e Jashtme ruse ka mohuar akuzat e përfshira në këto padi dhe ka thënë se beson se qëllimi i këshilltarit të posaçëm amerikan, Robert Mueller për të bërë publike këto padi në prag të samitit në Helsinki, është që të “prish atmosferën” për bisedime.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se në paditë e ngritura nuk është implikuar askush që ka punuar në fushatën e Trumpit, Shtëpia e Bardhë ka thënë se zyrtari rus që ka kryer sulme kibernetike në partinë Demokrate dhe kanë publikuar dokumentet përmes WikiLeaks “ka qenë një kontakt i rregullt me zyrtarët e lartë” të fushatës së Trumpit.

Aleati i kamotshëm i Trumpit, njëherësh këshilltar për fushatën, Roger Stone, i ka thënë CNN se ai beson që “ka gjasa” që ai është personi që është referuar në këto padi.

Në padi thuhet se një operativ rus i ka thënë një këshilltari të fushatës së Trumpit se do të jetë “kënaqësi e madhe” që ta ndihmojë fushatë, dhe më vonë ka kërkuar mendimin e këtij këshilltari për dokumentet e vjedhura nga Komiteti i partisë Demokrate, të cilat janë postuar online.

Stone ka thënë për CNN se ka gjasa që ai është personi që citohet si operativ i Trumpit në këto padi, por ka shtuar se “nuk ka asnjë dëshmi në këto padi se unë apo kushdo tjetër i përfshirë me Donald Trumpin të ketë pranuar ndonjë gjë nga rusët, apo nga kushdo tjetër që ka vjedhur këto materiale dhe ia ka dhënë më pas WikiLeaks-it”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.