Bota

Shtatë të vdekur në protestat kundër Ligjit për shtetësi në Indi

Së paku shtatë njerëz u vranë dhe rreth 150 u plagosën në protestat kundër ligjit të ri për shtetësinë në Delhi të Indisë.

Autoritetet thanë se një polic dhe gjashtë civilë janë në mesin e të vrarëve, ndërsa e hëna u përshkrua si dita më vdekjeprurëse prejse kanë nisur protestat, mbi dy muaj më parë.

Përleshjet shpërthyen në një rreth verilindor të Delhit, midis mijëra njerëzve që demonstronin për dhe kundër ligjit.

Policia përdori gazin lotsjellës dhe granatat e tymit kundër protestuesve.

Pamjet televizive treguan flakë dhe tym nëpër ndërtesa.

Situata e tensionuar vazhdon edhe sot, me disa shkolla dhe stacione të metrosë të mbyllura.

Ligji i ri u ofron shtetësinë indiane emigrantëve jomyslimanë në Afganistan, Pakistan dhe Bangladesh.

Kritikët thonë se ligji i diskriminon myslimanët. Por, sipas qeverisë, protestat janë të panevojshme, pasi ajo po përpiqet t’i ndihmojë minoritetet e persekutuar në vendet fqinje.

Protestat në Indi kanë nisur qysh në fillim të muajit dhjetor, menjëherë pasi autoritetet e kanë miratuar ligjin e ri.