Kombëtare

Situata e motit në Shqipëri, reshje bore dhe bllokim rrugësh, ende prezencë uji në Shkodër

Gjatë ditës së diel në Shqipëri temperaturat kanë pësuar rënie deri në minus 15 gradë celsius.

Vlera më e ulët në fjalë është regjistruar në qarkun e Korçës, ku të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.

Temperaturat e ulëta dhe rënia e dëborës ka sjellë probleme në qarkun e Shkodrës, ku sipas informacioneve nga Prefektura, po punohet nga mjetet e ushtrisë për zhbllokimin e aksit rrugor Bogë-QafëThore.

Në aksin Tamarë-Vermosh rruga është e kalueshme me zinxhirë, pasi ka akull dhe trashësia e dëborës shkon deri në një metër.

Ndërkohë ka akoma prezencë uji në disa rrugë të Velipojës, Shirq, Darragjat, Mjedë, Bushat, Mali i Jushit etj. Temperatura të ulëta janë shënuar edhe ne qarkun e Vlorës, por pa sjelle probleme ne qarkullimin rrugor.