KULTURË

“Shqipnija të shpëtojë nga kaosi”

Rexhep Mitrovica: “Eksperienca e dy javëve nën qeverim më dha të kuptoj se, Kombi nuk ka vendos të shuhet dhe se don të rrojë. Ja ky asht vendimi unanim i krejt Kombit. Unë po e shqiptoj kët vendim edhe n’emnin e shejtënisë së kësaj dite të madhe.”

Me rastin e 31-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, shkëlqësia, Rexhep Mitrovica, kryeministër dhe ministër i Kulturës Popullore, mbajti një fjalim në Radio Tirana, drejtuar motrave dhe vëllëzërve t’anë shqipëtarë.

Shkëlqesia Kryeministri stigmatoi në fjalimin e vet rrugën e gabuar që ka marrënj një pjesë e vogël e popullit tonë, që, me anë terrori që nuk përputhet me zakonin dhe karakterin shqiptar, don t’a fus Vendin në kaos dhe n’anarkinë më të madhe, në dëm t’interesave jetsore të Kombit e në të mirë t’interesave të huaja.

Kjo gjendje kaotike dhe anarkike është rrjedhimi i pakënaqësisë dhe mos pasjes besim n’auktoritetin e Vendit, që karakterizoi kohën katërvjeçare të fundit të historisë kombëtare, edhe s’është shkaktëtuar ndërmjet dy rrymash kundërshtare, ajo e fuqisë qëndrore dhe ajo anarkike për trashigimin e pushtetit.

Pakënaqësija që zotëron sot në Shqipëri – thotë S. Kryeministri – është prodhimi i regjimit të mbrapsht italjan. “Administrata dredhake e atij regjimi shkakëtoi humbjen e besimit të popullit në Kryetarët dhe n’elitën e tij, se regjimi italjan, në dhelpninë e tij të njoftun mirë, përpiqej, në çdo mënyrë qi fajet e tij, t’i hidhte gjithmonë prijsave të popullit t’onë, me qëllim qi të sillte nji përçarje të madhe midis tij dhe Prijsave të tij e, mandej, nga grindja e popullit me prijsat, të përfitonte ai vet. Unë nuk due t’a shtroj e t’a shqyrtoj tash pyetjen më se kjo mëni e popullit kundrejt Prijsave asht ase nuk asht me vend. Por asht nji fakt i pamohueshëm se, as njerzit qi na qeverisën gjatë katër vjetve të regjimit italjan, as klasa drejtuese, nuk dijtën të kuptojnë, të zbërthejnë dhe të zotnojnë problemet e ndërlikueme qi rrodhën prej atij regjimi. Prandaj, pakënaqësija e popullit muer përpjestime gjithnji ma të mëdhaja, dhe, turmat e tij, prej pakënaqësije u hodhen në dishprim, i cili, ma në fund, u ba i papërballueshëm dhe i shtyni të sulmojnë deri Institutet e vendosuna. Fuqinat botore kapituluen përpara kryengritjes; elita, e shtrëngueme prej njij anarshije mendore, hoq dorë nga misjoni vet, i a lëshoi vendin furtunës, pa kërkue as me i ba ndonji farë qindrese.

Kryeministri i parë i Shqipërisë indipedente mbas robërisë së zezë përçarjesjellse katërvjeçare, mbassi i vuri në pah këto pika kryesore, shkaktare të vërteta të gjendjes së sotme, ftoi të gjithë bashkatdhetaët e vet që të mbledhin mëndjen, të mbajnë para syshë interesat e vërteta t’Atdheut në çdo veprimtari të tyre të sotme dhe t’ardhëshme, të lënë përçarjen dhe vëllavrasjen në mes të tyre e të bashkohen rreth auktoritetit qendror dhe të punojnë të gjithë së bashku për interesat e vërteta dhe supreme të Kombit.

Faksimile e dokumentit ku citohet fjalimi i Rexhep Mitrovicës, e që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë

Gjëndja alarmonjëse e sotëshmja e vëndit – shtoi Shkëlqesa Rexhep Mitrovica, – “na detyroi t’i bindemi nevojës imperative të formimit të njij Qeverrije Kombëtare, e cila, përpara Kombit dhe përpara historisë ka marrë barrën e rëndë të normalizojë gjendjen dhe të vendos rend e rregull”.

Zotimin e madh qi i kemi bamë Popullit, me anën e programit t’onë do të mundohemi t’a realizojmë. Do t’a realizojmë pse, në tanësinë e veprimit t’onë, nuk kemi asnji qëllim tjetër përveç naltësimit të t’Atdheut dhe t’atëdhedashunisë. Prandej ndjekim parimin e pushimit të vëllavrasjes dhe atë të sigurimit të bashkimit total të Kombit.

Sot, kur po ju uroj përvjetorin e indipendencës s’onë, unë, si Kryetar i Qeverisë, po ju zotohemi edhe nji herë se do të përpiqemi me të tana fuqinat qi Shqipnija të shpëtojë nga kaosi.

Eksperienca e dy javëve nën qeverim më dha të kuptoj se, Kombi nuk ka vendos të shuhet dhe se don të rrojë. Ja ky asht vendimi unanim i krejt Kombit. Unë po e shqiptoj kët vendim edhe n’emnin e shejtënisë së kësaj dite të madhe. Po i baj thirrje Rinisë Shqiptare, Popullit, Fuqivet t’Armatosuna Kombëtare, ushtërisë, gjindarmërisë, nëpunsave, profesorave dhe mësuesave tu u kërkue bashkimin dhe bashkpunimin e përzemërt e të pakursyeshëm për t’a shpëtue Shqipnin nga anarshija, për ta forcue Shtetin t’onë të lirë, qi porsa asht i ngjallun rishtas.

Jam i sigurtë – përfundoi Kryeministri – se thirrjes s’onë, qi nga nji shpirt i kthjelltë, qi frymzohet nga nji patriotizëm për shpëtimin dhe naltësimin e Kombit, për mbrojtjen e të drejtave sovrane të Kombit, do t’i përgjgjen të gjithë”.

Ky është shkrim është raporti për fjalimin e Rexhep Mitrovicës, kryeministër prej 4 nëntorit 1943 deri më 18 korrik 1944, mbajtur në Radio Tirana, me rastin e 31-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, sipas një dokumenti të shpalosur për herë të parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë, në ekspozitën “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë”, e hapur prej 24 nëntorit deri më sot, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës në Prishtinë.