Kombëtare

Shqipëria pro dialogut Kosovë – Serbi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka pritur delegacionin e Komisionit të Jashtëm Parlamentar të Kosovës të kryesuar nga Time Kadrijaj, ndërkohë në takim ishte dhe ambasadori kosovar, Nait Hasani.

Ruçi ka deklaruar se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë-Serbi, por s’mund të ketë një marrëveshje të suksesshme menjëherë. Ai thotë se me SHBA dhe BE asgjë s’është e pamundur dhe se rezultati përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellët mes dy vendeve.

Njoftimi nga Kuvendi

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës: Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetarja e këtij Komisioni, znj. Time Kadrijaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ndodhej edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani.

Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve, i cili është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike të vendeve tona. Partneritetin Strategjik e gjithëpërfshirës me Kosovën ta bëjmë një model për bashkëpunimin rajonal.

“Shqipëria mbështet fuqishëm Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SH.B.A. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Shqipëria mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Uashington në 4 Shtator 2020 nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiq, në prani të Presidentit të SHBA, Trump, dhe e konsideron si një hap të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke midis dy vendeve. Ne vlerësojmë rolin dhe angazhimin e Presidentit të SHBA-ve dhe administratës së tij në avancimin dhe konsolidimin e procesit të paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes Euro-Atlantike të rajonit. Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE. Në politikën e jashtme nuk mund të arrihet asnjëherë një fitore e plotë, e mënjëhershme.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Kryetarja e Komisionit, znj. Time Kadrijaj, falënderoi kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për pritjen dhe vuri në dukje se “Mbështetja e Shqipërisë për Kosovën, e cila kurrë nuk ka munguar, është një inkurajim i madh për institucionet e Kosovës. Çdo arritje e Shqipërisë është edhe e Kosovës dhe anasjelltas. Ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.”/Gazeta Shqiptare.