Kombëtare

Shqipëria, pjesë e takimit të katërt të rrjetit të agjencive për parandalimin e korrupsionit

Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës për Krijimin e një Rrjeti të Agjencive për Parandalimin e Korrupsionit në Shibenik të Kroacisë, Shqipëria u përfaqësua nga zv.ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka në takimin e katërt Periodik të Rrjetit në Tunizi, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit.

”Gjatë takimit, shkëmbyem me pjesëmarrësit eksperiencat tona lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke nënvizuar se përpjekjet kanë nisur me reformimin e sistemit të drejtësisë”, shprehet Caka.

Ajo shtoi se “sistemi i rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve (vetting) dhe ngritja e SPAK synon te ngrejë një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, premisë për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar”.

“Lufta ndaj korrupsionit në dhe me sistemin e drejtësisë po shoqërohet edhe me një sërë masash antikorrupsion në nivelin e administratës publike”, tha Caka.

Caka theksoi se “programet e transparencës dhe e drejta e informimit si edhe përdorimi i teknologjisë janë instrumente që i japin mundësi qytetarëve të denoncojnë rastet korruptive. Me ofrimin e tashmë 598 shërbimeve online për qytetarët dhe zgjidhjen e rasteve antikorrupsion jo vetëm nga sinjalizimet në terren të Task-Forcës, por edhe nga portali online shqipëriaqëduam.al , synimi është t’i bëjmë qytetarët aleatë në luftën kundër korrupsionit”.

“Garantuam edhe njëherë gatishmërinë për të qenë aktivisht pjesëmarrës dhe për të ideuar iniciativa në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër korrupsionit, si mjeti më i mirë për të shmangur gabimet dhe për të shërbyer si shembull i ri-ngritjes së shtetit të së drejtës edhe atëherë kur dekada gërryerjeje e bëjnë të duket e pamundur”, përfundoi Caka. /atsh/

Leave a Reply

Your email address will not be published.