Kombëtare

Shqipëria në telashe me refugjatët nga Lindja e Mesme

Refugjatë nga Lindja e Mesme, të strehuar në Shqipëri, janë bërë problem për rendin dhe sigurinë në këtë vend.

Burime të policisë së Shtetit në Shqipëri kanë bërë të ditur se kohët e fundit, në Tiranë është regjistruar një numër i madh denoncimesh ndaj emigrantëve që raportohen se strehohen në qendrën e azilkërkuesve në Babrru në periferi të kryeqytetit.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se shtetasit sirianë, afganë apo të kombësive nga Lindja e Mesme, në shumë raste të evidentuara tashmë si trend në kriminalitet janë kthyer edhe në keqbërës.

“Janë bërë kryesisht hajdutë. Këta hajdutë janë të dhunshëm, qytetarët tregojnë që agresori i identifikuar si refugjat nga Lindja e Mesme i ka qëlluar e dhunuar në çastet kur viktima ka bërë rezistencë”, thotë një zyrtar policie që u bën apel qytetarëve që të tregohen të vëmendshëm.

Policia e Shtetit në Shqipëri ka kaluar në gjendje alarmi pas një sërë denoncimesh të qytetarëve që pretendojnë se shtetas të huaj u kanë hyrë në banesë dhe i kanë vjedhur.

“Plani i masave ku bazohet patrullimi policor ka ndryshuar. Kryesisht po patrullohet më shpesh në zonat e bizneseve, ku automjetet policore janë porositur të patrullojnë në lagjet ku ndriçimi lë për të dëshiruar”, shprehet një zyrtar i Policisë së Tiranës.

Shoqërimi i dhjetëra të huajve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe që ndeshen shpesh nëpër rrugët e Tiranës , apo dyshohen si shkelës të ligjit, ka hapur një problem që nuk po gjen ende zgjidhje. Sipas një burimi zyrtar të Policisë së Shtetit, oficerët e policisë që marrin deklaratat e të dyshuarve, po përballen me mungesën e përkthyesve të atashuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.