Shqipëria feston Sulltan Nevruzin, festën më të rëndësishme të bektashinjve

Besimtarët bektashianë shqiptarë kremtojnë sot ( 22 mars) Ditën e Sulltan Nevruzit. Sipas besimit bektashian kjo ditë shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Në Shqipëri Dita e Sulltan Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në botën Aleviane kjo ditë shënohet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

 Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur.

Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për të rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Pavarësisht se është një festë fetare e besimit mysliman, Sulltan Nevruzi festohet edhe nga qytetarë të besimeve të tjera fetare. Harmonia dhe bashkekzistenca paqësore mes këtyre besimeve është një nga vlerat e shqiptarëve të cilat vlerësohen nga mbarë bota.

Go to TOP