Kombëtare

Shqipëri, opozita parlamentare propozim për listat e hapura

Në Shqipëri, deputetë të opozitës parlamentare, paraqitën një propozim të ri për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor, bazuar në ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut. Propozimi, siç deklaroi deputetja Rudina Hajdari, parashikon lista të hapura dhe një prag minimal prej 1 përqind për të siguruar përfaqësimin në parlament. Opozita parlamentare po kundërshton me forcë variantin e shumicës, i cili është praktikisht larg premtimit për përzgjedhjen e deputetëve përmes votës parapëlqyese

“Opozita parlamentare është duke nënshkruar një propozim për lista të hapura 100 përqind dhe sot ky propozim do depozitohet në parlament. Është një draft i mirëintegruar me të gjitha propozimet që kemi bërë për të garantuar atë që kemi thënë që nga fillimi, për të patur lista të hapura reale. Ajo që duam të bëjmë është që të kemi lista të hapura 100 përqind dhe të mos kemi më lista të vendosura nga kryetari”, bëri të ditur zonja Hajdari.

Propozimi i opozitës, kërkon gjithashtu që pragu zgjedhor të jetë në nivelin e 1 përqind dhe jo 3 përqind, sic është parashikuar në variantin e shumicës socialiste.

Më herët zonja Hadari pati replika në parlament me ministren për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali: “Keni thënë vetë me fjalët tuaja që shqiptarët duan lista të hapura ndaj “ne jemi partia që do t’i hapim listat”, ndërkohë me propozimin tuaj është një mashtrim i madh”, tha deputetja Hajdari.

Socialistët vijojnë të këmbëngulin se propozimi i tyre përfaqëson listat e hapura, por në fakt, ndonëse votuesi ftohet të përzgjedhë kandidatin e preferuar, vota e tij, në pjesën dërmuese të rasteve, nuk do të ketë efekt, pasi përparësi ka renditja që ka bërë partia në listë.

Edhe zoti Myslym Murrizi, kryetari i grupit demokrat, që mbledh numrin më të madh të opozitarëve në sallë, foli me nota të forta kritike, gjatë fjalës së tij në parlament: “Ne së bashku më 30 korrik kaluam ndryshimet kushtetuese, dhe ju pa kaluar dy muaj, kërkoni që ndryshimet kushtetuese t’i hidhni në erë”.

Ndërsa koha për miratimin e formulës së re mbi listat, koalicionet apo dhe pragun, po ngushtohet, dhe gjithçka do të duhet të përmbyllet brenda 7 ditëve të ardhshme, në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim i solli në vëmendje kryeministrit Edi Rama, kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe udhëheqësve të tjerë politik, angazhimet e marra në marrëveshjen e 5 qershorit dhe masat e tjera që shkuan përtej kësaj marrëveshje, duke theksuar se “propozimet dhe kundër propozimet duhet të bëhen në mirëbesim. Shtetet e Bashkuara – shkruan zonja Kim- do t’ju mbështesin gjithmonë, por përgjegjësia është e udhëheqësve shqiptarë”.

Për presidentin Ilir Meta, situata e krijuar rrezikon të jetë pengesë për avancimin e vendit në rrugën e integrimit europian. “Për fat të keq sjellja me ndryshimet kushtetuese, antikushtetuese dhe tërësisht të njëanshme, që goditi, apo u përpoq të godasë Marrëveshjen e 5 Qershorit, tregon që jemi në një kurs të kundërt me atë që pritet nga të gjithë shqiptarët dhe të gjithë partnerët tanë seriozë në Bashkimin Europian”, deklaroi zoti Meta, i cili pati sot një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit europian.

Për kreun e Shtetit, përgjegjësia është vetëm e qeverisë. “Ka mbetur edhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim. Përndryshe, përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori. Nuk do të ketë dy apo katër fajtorë. Do të ketë vetëm një fajtor, i cili për fatin e tij personal kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 milion shqiptarëve”, theksoi zoti Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.