SPORT

Shpërblehet puna 5-vjeçare

Sa i përket ekip tonë U-21 kualifikimi në Kampionatin Botëror është i pritshëm, pasi është punuar shumë vite për këtë rezultat me kategori të reja, duke filluar prej kampeve që janë mbajtur çdo vit, të organizuara nga FHK-ja”, ka thënë trajneri Taib Kabashi

Federata e Hendbollit e Kosovës është njëra prej federatave të para të pranuara në arenën ndërkombëtare, pikërisht kjo ka ndodhur në vitin 2004 kur hendbolli ynë është pranuar në Federatën e Hendbollit të Evropës (EHF). Prej këtij viti skuadrat tona kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare, por jo edhe në nivelin e përfaqësuesve, pasi një gjë e tillë është mundësuar nga viti 2014, kur FHK-ja është pranuar me të drejta të plota në EHF dhe në IHF. U deshën të kalojnë plot 14 vjet që hendbolli ynë të arrijë një sukses të madh për të bindur opinionin se ky sport ka traditë në vendin tonë.

Nga Kosova në Spanjë

Dita e diel e 14 prillit të vitit 2019 do të shkruhet me shkronja të arta në historinë më të re të sportit kosovar, pasi është hera e parë që një përfaqësuese arrin të kualifikohet në një garë të madhe, siç është Kampionati Botëror. Pas fitores në finalen e “IHF Intercontinental Trophy”, që u zhvillua në Prishtinë, të përzgjedhurit e Fatmir Muhaxherit e kanë siguruar një biletë për Botërorin e Hendbollit për U-21, që do të zhvillohet gjatë muajit korrik në Spanjë. Lidhur më këtë sukses historik kryetari i FHK-së, Eugen Saraqini, është shprehur i lumtur, teksa ka thënë se nuk do të kenë kurrfarë problemi rreth paraqitjes së hendbollistëve kosovarë në Spanjë, duke e ditur se ky shtet ende nuk e ka pranuar Kosovën si shtet. “Jo nuk pritet të ketë problem dhe këto çështje as nuk duhet të trajtohen dhe se Përfaqësuesja duhet të angazhohet maksimalisht për sukses në Spanjë”, ka thënë numri një i FHK-së Eugen Saraqini.

Kosova ka talente të shumta

Hendbollistët tanë i kanë përgëzuar për suksesin e arritur edhe trajnerët Taib Kabashi dhe Faruk Shala. “Sa i përket ekip tonë U-21 kualifikimi në Kampionatin Botëror është i pritshëm, pasi është punuar shumë vite për këtë rezultat me kategori të reja, duke filluar prej kampeve që janë mbajtur çdo vit, të organizuara nga FHK-ja”, ka thënë Kabashi, duke shtuar se në Kosovë ka talente të shumta në çdo sport, vetëm duhet investime dhe kushte më të mira për sportistët tanë. “Kësaj radhe ne prapë jemi të parët në sportet kolektive që arrijmë kualifikimin në një kampionat botëror”, tha për “Zërin” trajneri Taib Kabashi.

Nga ana tjetër, trajneri Faruk Shala thotë se personalisht e kishte pritur këtë sukses. “Personalisht e kam pritur këtë sukses, sepse është një gjeneratë premtuese. FHK-ja ka investuar në këtë skuadër tash e 4-5 vjet me radhë, stafi i trajnerëve e ka kryer punën e tyre me sukses, ndaj do t’i përgëzoja për këtë. Me angazhim dhe me vetëmohim të këtyre djemve edhe u arrit sukses historik për sportin tonë, veçanërisht për sportin e hendbollit që gradualisht po arrin të kthehet aty ku e ka edhe vendin – si njëri prej sporteve me traditë në vendin tonë. Kjo po shihet edhe në bazë të rezultateve të përfaqësueseve tona në arenën ndërkombëtare, e po ashtu edhe klubet vit pas viti po paraqiten më mirë, ndërsa kombëtarja e femrave tani është ngritur në nivelet evropiane dhe botërore”, tha Shala për “Zërin”.

Image

Tahirukaj: Jemi shumë krenarë për këtë arritje

Edhe pjesëmarrësit e ndeshjeve të Përfaqësueses U-21, Jon Muqolli dhe Drenit Tahirukaj, si dhe përzgjedhësi Fatmir Muhaxheri janë të lumtur për suksesin e arritur. “Për 4-5 vjet punojmë me këtë gjeneratë, me këtë grup lojtarësh. Ata gjatë tërë garës dhanë atomin e fundit për të lartësuar emrin e Kosovës. Kanë luajtur me vetëmohim shembullor. I përgëzoj të gjithë për angazhimin e madh dhe për suksesin historik që e arritëm”, tha përzgjedhësi Fatmir Muhaxheri.

Njëri prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës, Jon Muqolli, kualifikimin në Botëror e quan sukses historik. “Është sukses historik. Prej ditës së parë kemi synuar të fitojmë këtë garë dhe të sigurojmë paraqitjen në Botëror, që nuk është arritur deri më tani në sportet ekipore të Kosovës. Jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur. Është suksesi më i madh në karrierën tonë të deritashme”, tha shtatlarti Jon Muqolli. “Asnjë ekip i Kosovës nuk është kualifikuar në Kampionat Botëror dhe ne e arritëm këtë sonte. Jemi shumë krenarë për këtë arritje. Shpresojmë që me punë të vazhdojmë të ngrihemi në nivele edhe më të larta. Jemi një grup i mirë lojtarësh”, u shpreh njëri prej më të merituarve për suksesin e U-21, Drenit Tahirukaj.