Shpallen të pafajshëm ish-menaxherët e Telekomit

Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, gjatë leximit të arsyetimit të trupit gjykues në lidhje me këtë rast, ka thënë se në asnjë rast nuk janë mundur të argumentohen pretendimet e Prokurorisë Speciale për korrupsion kundër ish-shefave të Telekomit, Agron Mustafa e Ejup Qerimi dhe ish-kryesuesit të Bordit të këtij institucionit, Rexhë GjonbalaJ.
Agron Mustafa së bashku me Ejup Qerimin dhe Rexhë Gjonbalajn akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktakuza ndaj tyre, e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka të bëjë me marrëveshjen PTK – Z-Mobile.
Prokuroria Speciale thoshte se Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj akuzohen se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që t’i shkaktojnë dëme materiale dikujt tjetër.
Qerimi akuzohej për veprime të kryera gjatë periudhës kohore shkurt 2012-tetor 2014, kurse Agron Mustafa për veprime të kryera nga 19 shkurti 2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri më 24 maj 2017, kur i njëjti, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final.
Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi në periudha të ndryshme kanë ushtruar detyrën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, kurse Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit. /Koha/