Kosova

Shoqëria civile thotë se ka rrezik për konflikt interesi nëse Dumoshi mban dy pozitat zyrtare

Që nga viti 2013 është këshilltare komunale e LDK-së në Komunën e Prishtinës, por me formimin e Qeverisë, Vlora Dumoshi është emëruar ministre e Kulturës.

Ndonëse me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale i lejohet asaj mbajtja e të dyja posteve, organizata të shoqërisë civile, që monitorojnë punën e qeverisë lokale, janë skeptikë në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Ata shtojnë se në raste të tilla ka rrezik për konflikt interesi, raporton KTV.

Megjithatë Dumoshi ka thënë se ende nuk ka vendosur rreth kësaj çështjeje, sepse fillimisht duhet të konsultohet me organet brenda partisë së saj, por shton se, si njëra ndër gratë më të votuara në vend, ka obligim edhe ndaj qytetarëve të Prishtinës.

Për Dumoshin, kjo është hera e dytë që emërohet ministre në këtë dikaster. Në 2017-n ajo qëndroi ministre e Kulturës rreth dy muaj në fund të qeverisjes së Isa Mustafës.

Megjithatë, ky nuk do të ishte rasti i parë që një ministër mban edhe pozitën e këshilltarit komunal.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte zgjedhur t’i mbante të dyja postet, ani se pothuajse asnjëherë nuk ishte prezent në seancat e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Kujtim Gashi gjithashtu, sa ushtronte funksionin e ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, ishte edhe kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Gjithashtu të dyja pozitat, atë të ministrit dhe këshilltarit komunal, për një kohë të gjatë i kishte mbajtur edhe Blerand Stavileci.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.