Kombëtare

Shoqëria civile reagon për logon e PDK-së gjatë shpërndarjes së ndihmave

Në këtë kohë pandemie në Kosovë kur ndihmat të çfarëdo lloji, janë mëse të nevojshme, ato megjithatë në disa raste po bëhen për përfitime politike, vlerësojnë analistët.

Kritika të shumta gjatë ditës së sotme mori kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Lushtaku shpërndau disa pako ushqimore e higjienike në disa fshatra të Skenderajt, por mbi secilin paketim, ishte vënë logoja e PDK-së.

“Sot, Dega e PDK-së në Skenderaj, ka filluar shpërndarjen e mbi 300 pakove ushqimore e higjenike përfshirë edhe dezinfektues, për familjet me gjendje më të rëndë ekonomike, si pasojë e përhapjes së virusit Covid-19. Kemi filluar me shpërndarje e pakove në fshatrat e Kopiliqit, Turiqecit, Burojës, Kllodernicës e do të vazhdojmë në gjithë territorin e komunës së Skenderajt. Në këto ditë jo të zakonshme, secili nga ne, duhet ta tregojë solidaritetin e vet, duke ndihmuar me aq sa kemi mundësi. Populli jonë është popull me shpirt solidar dhe në këto situata ndihmojnë pa hezitim. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi, që të ndihmojnë qytetarët me gjendje jo të mirë ekonomike, në këtë kohë të pandemisë”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga disa eksponentë të PDK-së, përfshirë Lushtakun, për t’u sqaruar pse është bashkëngjitur logoja, porse gjatë pasdites nuk ka marrë përgjigje.

Analisti politik Agron Demi, e ka cilësuar këtë veprim politik.

“Po pra. Çka menduat ju? Me ju ndihmu belesh a? Një rrugë e dy punë: tap vajin, tap votën. Ma e keqe se pandemia është veç PANdemia”, ka shkruar Demi në Faceobok.

Në një përgjigje në statusin e Demit, ka reaguar edhe Gjylieta Mushkolaj‎, profesoreshë në Juridik dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Fatkeqësisht, kjo nuk është risi! Në këtë rast, më shumë e fajësoj shoqërinë civile, se sa pushtetin! Ne e kemi shumë mirë të rregulluar këtë me ligj (Ligji për OJQ). Neglizhenca e vet Shoqërisë civile për vetrregullim, përmes kodit të sjelljes e ka katandisë Kosovën kështu”, ka shkruar Mushkolaj.

Reagime të shumta, Lushtaku ka marrë edhe në postimin e tij, por megjithatë, disa aktivistë e kanë cilësuar humanist.

Gjatë ditës, edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veselit, ka shpërndarë pako të barërave për shqiptarët në veri të Kosovës

“Partia Demokratike e Kosovës ka filluar sot shpërndarjen e qindra pakove shëndetësore me barëra tek shqiptarët në komunat e veriut të Kosovës ku tash e disa ditë kanë mbetur të izoluar. Këto pako shëndetësore po shpërndahen dy ditë pasi PDK shpërndau edhe qindra pako ushqimore për banorët e veriut që janë izoluar me orë policore nga vendimet e Serbisë”, u tha në një njoftim të PDK-së.

Ndihma në Kosovë në këtë kohë pandemie është shumë e nevojshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndër tjera, ka paralajmëruar se ekonomia do të “goditet rëndë”, dhe pritet të tkurret për 5 për qind.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.