Kosova

Shoqëria civile: Përmendja e Veselit nga personat e përfshirë në fajde po kalon pa asnjë reagim institucional

Një video ekskluzive e siguruar nga KOHA shpërfaq dyshimet për përfshirjen e disa personave në veprat penale fajde, detyrim dhe mashtrim.

Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika shihen në këtë video dhe personi i tretë që është pala e dëmtuar, ndërsa personi i katërt nuk përmendet fare nga Prokuroria dhe Policia, raporton Koha.net.

Videoja është realizuar më 2012, e në një pjesë të saj përmendet edhe emri i kryetarit aktual të PDK-së, Kadri Veseli.

Nën dyshimin për kryerjen e këtyre veprave penale, Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona.

E një ditë pas publikimit të videos në KTV, ku i përmendet emri kryetarit të PDK-së dhe të Kuvendit, Kadri Veseli, ky i fundit ka paralajmëruar se ata do ta paguajnë me burg.

Veseli në një intervistë në Rubikon të KTV-së, ka thënë se nga rasti do të dalin edhe informata të tjera.

Ndërkaq, 24 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar sot ndaj kësaj çështjeje, duke thënë se përmendja e kryeparlamentarit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veselit, në këtë video po kalon pa asnjë reagim institucional, dhe kjo, sipas këtyre organizatave, nuk është hera e parë që mediat raportojnë për raste të ngjashme të cilat pastaj përcillen me mungesë totale të llogaridhënies..

“Me datën 20 maj, disa media shfaqën një video ku mund të dëgjohet se si disa të akuzuar për fajde përmendin emrin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në anën tjetër, nuk kishte asnjë reagim institucional, që do të qartësonte para qytetarëve arsyen dhe kontekstin e përmendjes së Kryetarit të Kuvendit në atë ambient. Nuk është hera e parë që mediat kosovare raportojnë për raste të ngjashme për udhëheqës dhe përfaqësues institucionalë, të cilat pastaj përcillen me mungesë totale të llogaridhënies”, thuhet në reagimin e 24 organizatave të shoqërisë civile.

Transparenca dhe llogaridhënia para qytetarëve, sipas këtij reagimi, janë tipare të domosdoshme për demokraci të zhvilluara.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se janë të angazhuara që standarde të këtilla të instalohen dhe aplikohen edhe në Kosovë.

“Në mënyrë që demokracia kosovare, edhe ashtu e dëmtuar nga keqmenaxhimi disavjeçar i institucioneve publike të mos degradohet tutje, nuk duhet lejuar që heshtja institucionale karshi fenomeneve të tilla të shndërrohet në praktikë dhe normalitet. Për më tepër, lufta kundër krimit të organizuar është deklaruar si prioritet i Qeverisë së Kosovës. Duke kaluar në heshtje, përmendja e krerëve institucionalë në rrethana të këtilla shkon vetëm sa shkon në të kundërt të kësaj përpjekjeje”, theksojnë këto organizata.

Bazuar në këto parime dhe arsye, organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje krerëve të institucioneve, në këtë rast Kreut të Kuvendit, që në pajtim me përgjegjësinë që mbart mbajtja e postit publik, të japë llogari dhe të qartësojë para qytetarëve një përfshirje të tillë.

Reagimi është përkrahur nga: Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), FOL, Community Development Fund (CDF), YIHR KS, TOKA, Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), KONSUMATORI, Women’s Business Association (SHE-ERA), ROMA IN ACTION, Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale (IZHPS), Unioni i Punëtoreve Social të Kosovës, Global Shapers Community Kosova, Ndërto të Ardhmen, VISION 02, SWOK –Kosovo, Programi për të Drejtat Civile në Kosove (CRP/K), Rrjeti i Radiove për të Drejtat e Njeriut – RDN, Youth Center, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur, ZANA, Bliri dhe Gruaja Hyjnore.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.