Kosova

Shoqëria civile kërkon që të anulohen vendimet e ministrit në largim të Arsimit

Ndonëse është në largim, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi, po i shfrytëzon ditët e fundit si pjesë e Qeverisë për të bërë emërime në bordet e institucioneve që funksionojnë në kuadër të MASHT-it.

Përmes një vendimi të nxjerrë më 16 tetor, të cilin e posedon gazeta, ai ka emëruar dy anëtarë në Këshillin Drejtues të Institutit Albanologjik të Kosovës. Të emëruarit janë Adem Gashi dhe Xhevat Bislimi. Që nga 19 korriku i këtij viti, kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka marrë disa vendime.

Të gjitha këto vendime që Bytyqi i ka marrë gjatë kësaj periudhe, sipas shoqërisë civile, do të duhej të anuloheshin nga Qeveria e re. Edhe përfaqësues të partive që pritet ta drejtojnë Qeverinë paralajmërojnë shqyrtimin e këtyre vendimeve.

Organizata “Çohu”, ka thënë se një Qeveri në largim nuk do të duhej të merrte vendime në kohën kur është në përfundim të mandatit. Sipas Arton Demhasaj nga kjo organizatë, vendime të tilla mund të merren vetëm në rastet kur një institucion ka mbetur i bllokuar.

E Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka thënë se çdo vendim që është marrë pas dorëheqjes së Qeverisë do të duhej të anulohej. Sipas tij, këto vendime nuk kanë qenë aspak të domosdoshme që të merren në kohën kur Qeveria ka qenë në largim. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.