Kosova

Shoqata “Thirrjet e Nënave” kërkon të përfshihet në dialogun me Serbinë

Shoqata “Thirrjet e Nënave” ka kërkuar edhe njëherë përfshirjen e tyre në procesin dialogues me Serbinë.

Përmes një postimi në Facebook, kjo shoqatë thotë se këtë kërkesë e kanë parashtruar për faktin se janë kategoria më e prekur dhe e anashkaluar gjatë procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Pjesëmarrja jonë është e rëndësishme në këtë delegacion përballë Serbisë kriminale, e cila ende e mban peng politik, fatin e shqiptarëve të zhdukur, ndaj pjesëmarrja e familjarëve të cilët kanë qenë aktiv në këtë proces për dy dekada dhe vazhdojnë të jenë do t ‘ishte një grusht i madh për Serbinë dhe një forcë e shtuar për temat që do të shtrohen”, thuhet në njoftim.

Shoqata “Thirrjet e Nënave” thotë se nuk mund të ketë pajtim me Serbinë pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe pa kërkuar falje për krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarë.

“Kërkojmë nga Presidenti Thaqi, kryeparlamentarja Osmani dhe kryeministri Hoti, që të kenë kujdes dhe të mos nguten për finalizimin e bisedimeve me Serbinë, sepse nuk mbyllet kapitulli i luftës pa dhënë llogari pala pushtuese kriminale serbe, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm”, thuhet tutje në postimin e tyre.