SPORT

Shoqata e Futbollistëve i fton ata që të merren vesh për ulje të pagave

Futbollistëve kosovarë u është bërë thirrje që të arrijnë marrëveshje për të ulur pagat e tyre gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

Një thirrje të tillë për futbollistët dhe futbollistet e ka bërë shoqata që është e thirrur për të mbrojtur interesat e tyre, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës. Drejtues të kësaj shoqate të hënën kanë mbajtur një takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi.

Ideja e drejtuesve të shoqatës është që futbollistët të merren vesh për ulje të pagave deri në 50 për qind, me kusht që pjesa tjetër t’iu paguhet atyre pas kthimit të gjendjes në normalitet.

Kjo në fakt mund të mos ndodhë duke ditur se klubet kryesisht, të paktën deri më tani, nuk kanë paguar borxhet e edicioneve të kaluara. Po ashtu lojtarët mund të vendosin për të ndryshuar mjedis gjatë verës dhe kjo do të bënte thuajse të pamundur realizimin e pjesës tjetër të pagës.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë kapitenëve dhe lojtarëve në klubet e meshkujve dhe të femrave nga të gjitha kategoritë e ligave futbollistike të Kosovës, që me mirëbesim të arrijnë marrëveshje me punëdhënësit e tyre për ulje të pagave për periudhën kohore sa zgjat pandemia. Rekomandimi ynë është që marrëveshja për ulje të përkohshme të rrogës përgjatë periudhës së pandemisë të shkoj maksimalisht në 50 për qind të pagës mujore, me kusht që pjesa tjetër e pagës së munguar gjatë kësaj periudhe të përmbushet atëherë kur situata të normalizohet dhe pandemia të ketë kaluar”, thuhet në një komunikatë të Shoqatës së Futbollistëve.

Në fakt disa klube tashmë kanë vendosur për të ulur pagat e lojtarëve për 50 për qind, pa i pyetur ata. Me kalimin e kohës mundësia që lojtarët mos të marrin fare pagat mujore, pritet të rritet.

Sa i takon pakos emergjente të FFK-së, Shoqata vlerëson se ajo nuk ka të bëjë me rrogat mujore që u detyrohen lojtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.