SHËNDETËSIA

Shkurtohen pritjet në Klinikën e Radiologjisë në QKUK

Klinika e Radiologjisë në QKUK ka reduktuar listën e pritjes për trajtimin e pacientëve në rezonancë magnetike nga një vit në tre muaj. Këto lista priten të zvogëlohen edhe më shumë pasi që kjo klinikë të pajiset me një aparat tjetër të rezonancës të cilin e ka blerë Ministria e Shëndetësisë.

Shemsije Xhemajli po pret që të hyj në rezonancë magnetike të cilën e ofron Klinika e Radiologjisë në QKUK. Për këtë shërbim, Xhemajli thotë se ka pritur dy muaj.

Ajo shton se në pamundësi që të pres, burri i saj një shërbim të tillë e kishte marrë në një klinikë private.

“Kam pritur për rezonancë magnetike për rreth dy muaj. Edhe burrit pas tre muajsh ia kanë caktuar rezonancën pas tre muajsh, por ai shkoi privat e bëri”, tha Shemsije Xhemajli.

Sikur Xhemajli ka edhe pacientë të tjerë, të cilët, nëse caktojnë termin në muajin qershor të 2019-s, do të kenë mundësi për rezonancë magnetike në muajin gusht.

Pavarësisht këtyre pritjeve që zgjasin deri tre muaj, në klinikën e Radiologjisë thonë se pacientët kanë pritur deri në një vit për të bërë rezonancën magnetike.

Drejtori i Klinkës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, tha për RTV Dukagjinin, se punonjësit e kësaj klinike po punojnë në fundjavë dhe jashtë orarit të punës.

“Kemi arritur që listën e pritjes që ka qenë për rreth një vit, e kemi reduktuar në një, deri tre muaj pritje. Ne kemi organizuar edhe orar pune shtesë, ku ftojmë pacientët nga lista e pritjes dhe vazhdojmë punën edhe gjatë fundjavës”, tha Bujar Gjikolli.

Gjikolli shtoi se klinika e Radiologjisë gjatë një ditë pranon rreth 40 pacientë që kanë nevojë për shërbimin e rezonancës.

“Ne kemi kërkesa mjaft të mëdha. Vazhdimisht lajmërohet 40 deri 60 pacientë në ditë por ne arrijmë të kryejmë dyzetë”, shtoi më tej Bujar Gjikolli.

QKUK pritet të pajiset edhe me një aparat tjetër të rezonancës magnetike, të cilin e ka blerë Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë klinikë punohet vetëm me një rezonancë, ndërsa shërbimet i kërkojnë qytetarët nga gjitha komunat e Kosovës.