Kombëtare

Shkollat e Ferizajt do bëhen me ditarë digjital

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur se ka përmbushur edhe një premtim që kishte dhënë.

Aliu ka bërë të ditur se shkollat e Ferizajt do të bëhen me ditarë digjital, njofton Klan Kosova.

“Ditari shkollor digjital – premtimi i radhës i përmbushur. Arsimin ferizajas edhe pak javë e ndajnë nga ndryshimi më i nevojshëm i përshtatur me ritmin e kohës, e para e këtij lloji dhe përmase në gjithë Republikën, qasja në menaxhimin e procesit mësimor, jo më përmes ditarit shkollor klasik, por ditarit shkollor digjital, në të cilën do të kenë qasje kudo në kohë reale e tërësisht të digjitalizuar, mijëra nxënës e prindër, qindra mësimdhënës e drejtues shkollash”.

Nëpërmjet kësaj platforme notat, mungesat, vlerësimet dhe oraret e mësimit do të jenë të digjitalizuara për nxënësit teksa do të jenë transparente kudo me vetëm një lidhje interneti.

“Notat, mungesat, vlerësimet, oraret e mësimit e mësimi online, do të lundrojnë tashmë të digjitalizuara për gjithë nxënësit ferizajas, transparente tërësisht e të qasshme kudo, me vetëm një lidhje interneti. Ta gëzojnë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit e drejtuesit e shkollave dhe arsimit ferizajas”, është shprehur Aliu.