KULTURË

Shkencëtarët që parashikuan “Facebookun” e “Googlen” në vitet ‘60

Në fund të dhjetorit të vitit 1960, “Harper’s Magazine” shastisi të gjithë me rrëfimin e një punëtori të pavarur të quajtur Thomas Morgan: fitorja për një fije kashte e John F. Kennedyt mbi Richard Nixonin një muaj më herët ishte orkestruar nga një kompjuter top-sekret i quajtur “People Machine”.

Kjo pajisje misterioze, e cila ishte zbuluar nga një kompani po aq misterioze e quajtur “Simulmatics Corporation”, sipas revistës në fjalë, kishte vlerësuar se marrja e një qëndrimi të vendosur mbi të drejtat civile dhe ballafaqimi i drejtpërdrejtë me urrejtjen katolike, të cilat Kennedy i bëri, do të ndihmonin senatorin e ri nga Massachusettsi të fitonte presidencën.

Në një kohë të rritjes së brengave mbi trushpëlarjen komuniste dhe automatizmin, ky ishte lajm i madh. Rrëfimi mbi “strategun robot të fushatës” që analizonte listat e votuesve dhe sondazhet e opinionit publik u shpërnda në mediat tejendanë vendit; një editorial i një gazete e përshkruante “People Machine” si një pajisje që do të bënte “tiranitë e Hitlerit, Stalinit dhe pararendësve të tyre të dukeshin posi lëvizjet e ngathëta të një mëzati”.

Për një periudhë të shkurtër, skandali kërcënoi të delegjitimonte presidencën e Kennedyt para se ajo të kishte nisur.

Por rrëfimi i Harperit, siç doli më vonë, ishte asgjëmangut pos një flluskë publicitare e një propagandisti: brenda pak muajsh Morganit, që kishte edituar njoftimet e “Simulmatics”, iu dha një vend në kompani me titullin “menaxher informacioni”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.