SHËNDETËSIA

Shkencëtarët: Koronavirusi edhe më i rrezikshëm, përhapet nga ajri

Gazeta The New York Times shkruan se një grup prej 239 shkencëtarësh nga 32 vende të ndryshme do të botojnë në një revistë shkencore javën e ardhshme një letër të hapur drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Shkencëtarët kërkojnë nga OBSH të ndryshojë rekomandimet për koronavirusin, në mënyrë që të shmangen infeksione të reja.

Nga Zëri i Amerikës

Shkencëtarët thonë se koronavirusi përhapet nga ajri, pra virusi mund të qëndrojë pezull në ajër në mjedise të mbyllura dhe kur dikush thith ajrin me viruse do të infektohet.

Deri tani OBSH i është përmbajtur bindjes se virusi përhapet përmes stërkalave të sekrecioneve nga goja apo hunda që çlirohen nga personi i infektuar gjatë teshtimës apo kollës, por këto stërkala janë të rënda dhe bien shpejt përdhe. Pra nëse një person tjetër qëndron në distancë nuk është në rrezik. Dhe nëse personi i infektuar mban maskë, stërkalat nuk përhapen në ajër.

Por nëse virusi vërtetë përhapet nga ajri, siç shkruan gazeta, me rëndësi të madhe do të jenë masat për ta parandaluar përhapjen. Masat e reja do të përfshijnë vënien e maskave në mjedise të mbyllura, “edhe nëse personat qëndrojnë në distancë larg njëri-tjetrit” dhe se duhet të bëhen të detyrueshme masakat N95 për punonjësit e shëndetësisë pasi këto maska “filtrojnë edhe stërkalat më të vogla të sekrecioneve të përhapura përmes sistemit të frymarrjes nga të sëmurët”.

Po ashtu, sistemet e qarkullimit të ajrit mund të kenë nevojë për modifikime “për të reduktuar në maksimum ajrin e qarkulluar”.

Gazeta New York Times shkruan se pas analizimit të emalieve të brendshme të OBSH dhe intervistave me 20 shkencëtarë, përfshirë konsulentë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shfaqet imazhi i një organizate që “megjithë qëllimet e mira, nuk ecën në të njëjtin hap me shkencën”.

The New York Times shkruan se shtimi i numrit të infeksioneve pas rihapjes së bizneseve dhe zyrave “gjithnjë e më shumë” konfirmon atë “që shumë shkencëtarë e kanë thënë prej muajsh: virusi qëndron pezull në ajër në mjedise të mbyllura duke infektuar personat në këto mjedise”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483