SHKENCË

Shkencëtarët finlandezë krijojnë ushqim nga ajri

Shkencëtarët finlandezë kanë prodhuar ushqim nga ajri dhe pohojnë se brenda dhjetë vjetëve ky ushqim do të garojë me sojën sa i përket çmimit.

Kjo proteinë prodhohet nga bakteret nga dheu që ushqehen me hidrogjen të ndarë nga uji me anë të energjisë elektrike, respektivisht energjisë solare.

Nëse energjia elektrike mund të gjenerohet nga dielli dhe era, është gjithashtu e mundur të prodhohen ushqime që nuk do të ndikonin negativisht në klimë dhe nuk do ta kishin efektin e gazrave serrë.

Ushqimi i ri është një përbërës me nivel të lartë të proteinave, i ngjashëm me miellin, i cili përmban 50 për qind proteinë, nga pesë deri në 10 për qind yndyrë, dhe 20-25 për qind karbohidrate, shkruan Koha Ditore.

Shkencëtarët thonë se ai mban shije si mielli i grurit dhe se nga viti 2021 mund të bëhet një nga përbërësit kryesorë të shumë produkteve ushqimore, shkruajnë portalet shkencore.

Në procesin e prodhimit të ushqimit të emërtuar “soleinë” përdoren gazra serrë, merret dyoksidi i karbonit nga ajri, dhe pastaj kombinohen me ujë, me një dozë më të ulët të ushqyesve dhe vitaminave.

Image

Foto: Solar Foods

Pastaj, me ndihmën e energjisë solare njëqind për qind të ripërtëritshme, fillon procesi natyral i fermentimit i ngjashëm me atë të përdorur për të prodhuar tharmin.

Nga fabrika “Solar Foods” thonë se i kanë mbledhur tashmë 5.5 milionë euro dhe, në varësi të çmimit të rrymës, parashikojnë që kostot e tyre do të përputhen afërsisht me ato të prodhimit të sojës deri në fund të dekadës.

BBC raporton se shkencëtarët dëshirojnë që “mielli proteinik” të jetë një shtesë neutrale për të gjitha llojet e ushqimit.

Ai do të duhet të ngjajë në vajin e palmës, i cili u shtohet ëmbëlsirave, akulloreve, biskotave, makaronave, fides, salcave dhe bukës, ndërsa shkencëtarët thonë se mund të përdoret gjithashtu për kultivimin e mishit ose peshkut.