SPORT

Shkëlqeu mbrëmë, këto janë statistikat mbresëlënëse të Celinës

Bersant Celina kishte paraqitje të jashtëzakonshme në fitoren 2-0 të Kosovës ndaj Malit të Zi në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Golat në këtë takim për Përfaqësuesen tonë i realizuan Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi qysh në pjesën e parë, për t’i fituar kështu tri pikë dhe për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

23-vjeçari i skuadrës tonë ishte i pandalshëm ndaj malazezëve në kalimet dhe pasimet e sakta që bëri.

Celina luajti për 90 minuta ndaj Malit të Zi, duke dhuruar një asistim dhe bëri nëntë pasime vendimtare.

Saktësia e pasimeve të tij ishte tejet e lartë, pasi 83 për qind e tyre shkuan në këmbët e lojtarëve të Dardanëve.

Në aspektin e driblimeve, talenti i Kosovës ishte qind për qind i saktë, e që padyshim se mbrëmë ka qenë nata e tij dhe mund të themi se ishte lojtari kryesor i këtij takimi.

Anglia aktualisht janë lider të Grupit A me 15 pikë, Çekia me 12, tanët me 11, Mali i Zi dhe Bullgaria me tri sosh.