Kosova

Shkeljet e shumta kthyen “Syrin e Popullit” në rigjykim

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kryer një sërë shkeljesh esenciale të dispozitave të procedurës penale kur kishte marrë aktgjykim dënues për të akuzuarit në rastin njohur si “Syri i Popullit”.

Apeli, që një ditë më parë vendosi ta kthente rastin në rigjykim, ka gjetur se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i paqartë dhe i pakuptueshëm, raporton KOHA.

Një prej shkeljeve të përmendura ka qenë mungesa e të akuzuarit Bajrush Konjusha, në një seancë ku ishte dëgjuar një dëshmitar.

Një tjetër shkelje e dispozitave nga Themelorja, sipas aktvendimit të Apelit, ishte edhe situata kur trupi gjykues nuk kishte arritur të jepte arsye të qarta dhe bindëse se përse kishte përjashtuar publikun nga shqyrtimi gjyqësor, si në rastin kur dëshminë e tij në këtë proces gjyqësor e kishte dhënë presidentit Hashim Thaçi.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Murat Jashari, Apeli ka konstatuar se Prokuroria nuk është dashur të ngrinte aktakuzë ndaj tij si shkak i paaftësisë mendore të tij, por t’i dërgonte propozim gjykatës e kjo e fundit të merrte vendim.

E si rrallëherë, Apeli ka kërkuar që aktakuza për të akuzuarin Murat Jashari t’i kthehet për përmirësim Prokurorisë Speciale.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se shkalla e parë gjithashtu në aktgjykim ka tejkaluar akuzën e Prokurorisë duke i shpallur fajtorë ata edhe për rrethanat faktike për të cilat të akuzuarit nuk ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale.

Derisa këtu gjyqtarët e Apelit kanë konstatuar se shkalla e parë nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë se në çfarë cilësie zyrtare ishte i dëmtuari Azem Vllasi.

Apeli gjithashtu ka konstatuar se dispozitivi 3 i aktgjykimit është i paqartë dhe kontradiktor për faktet vendimtare dhe nuk mund të kuptohet me saktësi se cilat veprime i kanë ndërmarrë të akuzuarit për kryerjen e veprës penale.

E në këtë aktvendim derisa të akuzuarve të tjerë do t’u vazhdohet paraburgimi, Apeli vendosi që për të akuzuarin Sadri Ramabaja t’ia ndryshojë masën e paraburgimit me paraqitjen në stacionin policor.

Tetë të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit”, në janar të këtij viti, ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues. Ata ishin dënuar në total me 27 vjet burgim, derisa dënimi më i lartë i është shqiptuar Avni Llumnicës, me 12 vjet burgim.