Kosova

Shkaku i çantave të rënda, prindërit angazhojnë fizioterapeutë për fëmijët e tyre

Deri në 7 kilogramë është pesha e çantave te nxënësit e ciklit të ulët, kryesisht të atyre të klasës së parë deri në të pestën.

Mungesa e dollapëve në shumicën e shkollave, ka bërë që nxënësit të detyrohen për çdo ditë t’i bartin pothuajse të gjitha tekstet nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas, raporton KTV.

Kjo situatë, e cila po vazhdon me vite dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asgjë për të bërë ndonjë zgjidhje, po i shqetëson prindërit.

Ata thonë se pesha e rëndë e çantave ka ndikuar në shëndetin e fëmijëve të tyre, përkatësisht te boshti kurrizor.

Përvojë të tillë, të cilëve u është dashur të angazhojnë fizioterapeutë, kanë pasur jo pak prindër.

Ata kërkojnë që institucionet të bëjnë zgjidhje, siç janë sigurimi i dollapëve adekuatë ose rishikimi i plan-programit mësimor.

Së fundmi edhe Instituti i Shëndetit Publik ka vlerësuar se pesha e rëndë mund të shkaktojë probleme shëndetësore te fëmijët e shkollës fillore.

Ky institut u ka bërë thirrje prindërve dhe arsimtarëve të menaxhojnë me peshën e çantave të rënda në mënyrë që të parandalohen të gjitha deformimet e boshtit të kurrizit.

Por, në institutin “Ed Guard”, të cilët kanë kryer një hulumtim për këtë problem, thonë se fëmijët mund të pësojnë vetëm përgjatë kohës sa i bartin çantat me peshë të rëndë, por jo edhe të kenë pasoja tjera afatgjate.

Megjithatë, shqetësim, sipas tyre, mbetet se institucionet nuk janë angazhuar asnjëherë për të marrë masa pavarësisht ankesave të vazhdueshme të prindërve.

Ndërkaq, në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu, ka thënë se për këtë çështje përgjigje duhet të kërkohet në ministrinë e Arsimit pasi është përgjegjëse për kurikulën mësimore.

Kjo e fundit nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për televizionin se a ka ndonjë plan të intervenojë për zgjidhjen e këtij problemi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.