Kosova

Gratë nuk festojnë, marshojnë për një jetë të barabartë

Të dielën po shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas përmes marsheve dhe aktiviteteve të shumta që bëjnë thirrje për barazi dhe fuqizim të gruas, kudo në botë.

Në Prishtinë është mbajtur marshi tradicional “Marshojmë S’festojmë” nën organizimin e Rrjetit të Gruas, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e grave, barazisë gjinore, shoqërore dhe ekonomike.

Me thirrjet “Po du me punu pa më ngacmu”, “S’du lule por du kontratë”, një numër i grave kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave u bashkangjitën edhe liderë institucionalë.

Edhe amabasada amerikane në Prishtinë, ka shpërndarë një fotografi të grave deputete të legjislaturës së re në Parlamentin e Kosovës në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, duke theksuar se Kosova ka shumë gra që po punojnë për të bërë ndryshimin.

Shkalla e grave të punësuara në Kosovë mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, në vitin 2019 ishte 22.8 për qind, më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind, shifër më e lartë se në vitin 2018.

Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen edhe me sfidat e kontesteve pronësore, si dhe dhunës në familje.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ishte raportuar për 785 raste të dhunës në familje ku 620 nga to, viktima kanë qenë gra.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.