Kombëtare

Shenja dhune u gjetën në trupin e 12-vjeçarit që u gjet i vdekur në Fushë Kosovë, i dyshuar një 20 vjeçar

Është hapur e pame në shtëpinë e të miturit që u gjet i vdekur në Fushë Kosovë.

Familjarët e tij, në ditën e vdekjes, nuk e kishin parë që nga mëngjesi.

E ëma e tij thotë që dikush e ka sulmuar të birin e saj, raporton KTV.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se trupi i të miturit kishe shenja të dhunës.

“Po ka pasur shenja të dhunës në kokë. Ne ende po presim nga mjekësia ligjore që të dalë me një raport për shkaqet e vdekjes. Deri tash, jemi duke i kërkuar personat që dyshohet se kanë të bëjnë me vrasjen,” ka thënë prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari.

E, burime brenda policisë njoftojnë që janë në kërkim të një personi të komunitetit rom, i lindur në vitin 1999, që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.

K. V. u gjet të enjten pasdite pa shenja jete, në afërsi të një banese, nga një pastrues.

Sipas pastruesit, trupi i 12-vjeçarit ishte i mbështjellë me batanije.