Bota

Shembet miniera, dyshohet për dhjetëra minatorë të vdekur në një shtet afrikan

Dyshohet se dhjetëra persona kanë vdekur pasi një minierë e braktisur e arit u shemb në Zimbabve, duke i lënë të ngujuar brenda saj shumë njerëz.

Deri më tani, gjashtë burra kanë dalë të gjallë nga miniera në Bindura, rreth 70 kilometra në veri të kryeqytetit Harare. Sipas zyrtarëve, ende nuk dihet fati i rreth 30 minatorëve tjerë.

Përpjekjet për shpëtim nuk filluan deri të premten, ndonëse shembja ndodhi të mërkurën, për shkak se një gjenerator i përdorur për ta hapur minierën 100 metra të gjatë u prish dhe u desh të gjendej një tjetër.

“Të enjten, ekipet e shpëtimit u përpoqën ta largojnë ujin me pompë, por gjeneratori u prish. Operacioni filloi përsëri sot. Gjëja më e vështirë është që aksi është 100 metra i thellë”, tha një përfaqësues i minatorëve. “Ne as nuk dimë se në cilin nivel janë ngujuar ata. Ata mund të jenë bllokuar në baltë”, shtoi ai.

Qeveria e këtij shteti e konfirmoi incidentin, duke thënë se është e qartë se shtyllat mbështetëse janë dëmtuar nga një shpërthim, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Shembja e kësaj miniere ndodhi vetëm disa javë pasi gjashtë minatorë vdiqën në Esigodini, në jug të Zimbabvesë, ndërsa pesë të tjerë vdiqën në Chegutu pas shembjes së minierave.