Bota

Shembet klasa, së paku 7 nxënës të vdekur në Kenia

Së paku shtatë nxënës kanë vdekur pasi një pjesë e një shkolle u shemb të hënën në kryeqytetin e Kenias, Najrobi.

Ndërtesa e bërë me drurë raportohet se u shemb vetëm disa minuta pas fillimit të mësimit.

Besohet se dhjetëra nxënës të tjerë janë ngujuar nën gërmadha, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Ekipet e shpëtimit kanë pasur vështirësi për të arritur në vendin e tragjedisë për shkak të turmës së madhe të njerëzve që është mbledhur në atë zonë.

Në spitalin kombëtar deri tash janë dërguar 17 nxënës të lënduar.

Në pamjet e publikuara në internet shihen punëtorët e emergjencave duke u munduar t’i largojnë rrënojat me mjete të thjeshta, ndërsa prindërit shikojnë me ankth.

Nuk dihet numri i nxënësve që ndodheshin në klasë kur ajo u shemb, por dihet se fëmijët e ngujuar janë të klasave gjashtë, shtatë dhe tetë, shkruan “BBC”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.