Kombëtare

Kryetari Bulliqi përuroi shërbimet shtesë në QKMF

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Egzona Mustafa-Gashi, kanë vizituar  Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku prej sot do të ofrohen shërbime të reja.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë prej sot, për herë të parë do të ofrojë shërbimi paliativ, kurse shërbimet e rëntgenit dhe laboratorit qytetarët do të mund t’i marrin gjatë 24 orëve.

Kryetari Bulliqi me këtë rast tha se që nga marrja e mandatit në krye të komunës njëri nga prioritetet kryesore të qeverisjes është përmirësimi dhe avansimi i shërbimeve mjekësore për qytetarët e komunës sonë.

“Me ofrimin e shërbimit paliativ ofrojmë vizitën mjekësore dhe aplikimin e terapisë nga ana e doktorit të mjekësisë dhe infermieres në shtëpitë e të sëmurëve, të cilët janë të palëvizshëm. Gjithashtu me shërbimin gjatë 24 orëve të rëntgenit dhe laboratorit, qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë nëpër laboratorë privatë, por edhe në QKUK në Prishtinë, për të marr këto shërbime”, tha kryetari Bulliqi.

Kryetari Bulliqi tha se Komuna do të vazhdojë me investime në sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët tanë të marrin shërbime mjekësore cilësore dhe të shpejta. /Kosova.info/