Bota

ShBA-të në telashe, Covid-19 pengon rihapjen e ekonomisë

Një numër alarmues i rasteve të reja me koronavirus në SHBA ka bërë që shumë shtete t’i pezullojnë urdhrat për rihapjen e bareve, restoranteve dhe bizneseve të tjera.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, të publikuara më 29 qershor, Shtetet e Bashkuara regjistruan së paku 42,000 raste të reja me koronavirus në 24 orë.

Dr Anthony Fauci, specialist i sëmundjeve infektive në SHBA, tha se disa nga shtetet me numër të madh rastesh, nuk i kanë respektuar udhëzimet për të pritur rënien e qëndrueshme të infeksioneve, përpara se të lejonin rihpajen e bizneseve.

Fauci, i cili është po ashtu anëtar i grupit punues të Shtëpisë së Bardhë për krizën me koronavirus, do të dëshmojë të martën në një seancë në Senat, në lidhje me masat e ndërmarra.

Shumica e infeksioneve të reja, ditëve të fundit, janë përqendruar në shtetet jugore dhe perëndimore të SHBA-së.

Në Arizonë, guvernatori Doug Ducey urdhëroi baret, kinematë, palestrat dhe parqet me ujë që të mbyllen menjëherë, për së paku 30 ditë.

Ai reagoi pasi zyrtarët raportuan më 28 qershor për mbi 3,800 raste të reja – më së shumti në një ditë të vetme në këtë shtet.

“Pritjet tona janë që numrat të jenë më keq javën e ardhshme”, tha Ducey.

Florida dhe Teksasi urdhëruan mbylljen e të gjitha bareve të rihapura së voni, nisur nga 3 korriku, ndërsa guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy, tha se puna e restoranteve brenda nuk do të rifillojë këtë javë, ashtu siç është planifikuar.

Disa shtete, si Florida, Oregoni, Kansasi, po ashtu i urdhëruan banorët që të veshin maska në publik.

Pandemia e koronavirusit ka infektuar më shumë se 10 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë më shumë se 504,000, tregojnë të dhënat e Universitetit Johns Hopkins. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i goditur me mbi 2.6 milionë raste dhe me më shumë se 126,000 viktima.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi të hënën se pandemia e koronavirusit nuk është “as afër fundit”, duke thënë se botës do t’i duhet “edhe më shumë rezistencë, durim, përulësi dhe bujari në muajt përpara”.

Rritja e numrit të rasteve në Shtetet e Bashkuara mund të ketë pasojë edhe për udhëtarët, pasi Bashkimi Evropian pritet të shpallë të martën një listë të vendeve, qytetarët e të cilave do të lejohen të hyjnë përsëri në Evropë.

Bashkimi Evropian po përgatit një listë prej 15 vendesh, qytetarët e të cilave do të lejohen të vizitojnë bllokun nga 1 korriku, tha ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve në Shtetet e Bashkuara, ato mund të mos jetë në listë, së bashku me Rusinë dhe Brazilin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pezulluar në muajin mars hyrjen në SHBA të të gjithë njerëzve nga zona e udhëtimit Shengen e Evropës, një faktor tjetër ky që mund të ndikojë që qytetarët e SHBA-së të mos kualifikohen për të hyrë në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published.