Bota

SHBA, si funksionon tranzicioni?

Duke filluar nga tani e deri në inaugurimin e tij më 20 janar, Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të fillojë të ndërtojë administratën e re, e cila do të nisë punën për realizimin e vizionit të tij politik si dhe për të trajtuar menjëherë çështjet e sigurisë kombëtare.

Biden tani mund të marrë fonde të caktuara nga Agjencia e Shërbimeve Qeveritare (GSA) dhe të ketë qasje në informacionet e inteligjencës, në bazë të një ligji të vitit 1964, që ka si qëllim realizimin e një tranzicioni të rregullt të pushtetit ekzekutiv.

Ekipi i tranzicionit fitoi qasje në një domen qeveritar interneti dhe emaili, duke krijuar pa humbur kohë një faqe të quajtur buildbackbetter.gov.

Biden do të marrë informacion sekret në lidhje me kërcënimet e sigurisë kombëtare, operacionet e fshehta ushtarake dhe vendimet në pritje që mund të ketë administrata Trump për një përdorim të forcës ushtarake.

Anëtarëve të ekipit tranzicionit dhe njerëzve të zgjedhur për postet e sigurisë kombëtare do të fillojnë t’u jepen lejet e sigurisë, të nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre. Të emëruarit kryesorë mund të marrin pjesë gjithashtu në seanca orientuese për t’i njohur ata me punën dhe praktikat e agjencive qeveritare.

Administrata Trump do të kryejë me stafin e Biden ushtrime për të provuar gatishmërinë për situata emergjente, raporton Voa.

Krerët e agjencive qeveritare do të fillojnë të punojnë me zyrtarët e tranzicionit në mënyrë që të sigurojnë një kalim të qetë dhe ekzekutim të pandërprerë të operacioneve qeveritare. Kjo përfshin fusha të tilla si komunikimi me ekspertët e shëndetit publik në lidhje me planet e shpërndarjes së vaksinave të koronavirusit.

Ekipi i presidentit të zgjedhur do të ketë në dispozicion deri në 6.3 milion dollarë për operacionet e tij të tranzicionit. Ai do të ketë qasje në hapësirat federale, duke përfshirë zyrat ku zotit Biden do t’i bëhen raportimet për çështjet e ndjeshme të inteligjencës.