Hi Tech

ShBA shtyn sërish zbatimin e ndalesës për Huawein

Sekretari amerikan për Tregti, Wilbur Ross, ka konfirmuar se ndalesa ndaj produkteve të gjigantit kinez, Huawei nuk do të nisë së zbatuari edhe për 90 ditë tjera.

Shtetet e Bashkuara kanë futur këtë kompani në listë të zezë në maj të këtij viti, për shkak të shqetësimeve të lidhura me sigurinë kombëtare.

Atë kohë kompanisë kineze i ishte siguruar një leje e përkohshme për transport të mallrave, në mënyrë që të lehtësohet periudha e tranzicionit, e cila ka përfunduar të hënën.

Megjithatë, masa është vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

Ross ka thënë se kjo masë do t’iu ndihmojë konsumatorëve amerikanë.

“Ne po u japim edhe pak kohë që të parandalojnë veten”, ka thënë ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të dielën se Huawei është kompani me të cilën “nuk duhet bërë aspak biznes” dhe disa e kanë interpretuar këtë deklaratë si mundësi për mosvazhdim të masës lehtësuese.

Huawei është kritikuar në gjithë botën për lidhjet e dyshuara me Qeverinë kineze.

Mirëpo gjiganti kinez ka thënë se është i pavarur nga Qeveria e këtij shteti dhe mohon se përbën kërcënim për sigurinë kombëtare.

Konflikti për këtë kompani ka rritur rivalitetin në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, të cilat janë përfshirë në një luftë tregtare për më shumë se një vit.