Rajoni

ShBA përshëndet rezultatin e referendumit për emrin në Maqedoni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur rezultatet e referendumit të së dielës në Maqedoni, në të cilën qytetarët i dhanë mbështetjen anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE me mbështetjen e marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“ShBA mbështet fuqishëm zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës, e cila i mundëson Maqedonisë vendin e merituar në NATO dhe BE, që do të kontribuojë për stabilitet rajonal, siguri dhe prosperitet”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Në periudhën që pason kur Kuvendi i Maqedonisë do të nisë debatin për ndryshimet kushtetuese, u bëjmë thirrje liderëve që të ngritën mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë mundësinë historike për të siguruar të ardhmen e ndritur për vendin, si anëtare me të drejta të plotë e institucioneve perëndimore”, thuhet në deklaratën e këtij Departamenti

Ndërkohë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur në një postim në Twitter edhe një herë mbështetjen e aleancës veri-atlantike për Maqedoninë duke theksuar se dyert e NATO-s mbeten të hapura ndërsa kërkoi angazhim nga liderët politikë për të arritur këtë qëllim.

“E mirëpres votën ‘për’, në Maqedoni. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike te angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të kapin këtë shans historik. Dera e NATO-a është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryhen”, ka theksuar Stoltenberg.

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn ka vlerësuar pozitivisht votën “për” në referendum dhe si shumë të rëndësishme për marrëveshjen me Greqinë.

“Uroj ata që kanë votuar në referendumin konsultues. Me votën ‘për’ i është dhënë mbështetje e gjerë Marrëveshjes së Prespës dhe të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Komisionari Hahn ka thënë se pret nga liderët politikë që të respektojnë këtë vendim dhe ta zbatojnë atë me unitet dhe përgjegjësi të lartë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483