Bota

SHBA ofron kompensim për familjarët e viktimave të sulmit me dron

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se ka ofruar kompensim për familjarët e 10 personave që janë vrarë në një sulm më dron në muajin gusht, gjatë gazës finale të tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Ky Departament ka thënë se është duke punuar me Departamentin amerikan të Shtetit për t’iu ndihmuar këtyre personave që të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, përmes një deklarate.

Sulmi ka goditur një makinë të Zemerai Ahmadi, punëtor për organizatën joqeveritare Nutrition & Education International (NEI), duke lënë të vdekur atë dhe 10 anëtarë të familjes së tij, përfshirë shtatë fëmijët.

Sulmi me dron është kryer më 29 gusht, teksa ushtria amerikane ka qenë duke evakuuar shtetas amerikanë dhe afganë, të cilët kanë punuar me forcat e SHBA-së, gjatë luftës.

Tri ditë para sulmit, një sulm vetëvrasës, që është pretenduar të jetë kryer nga një degë e grupit militant, Shteti Islamik në Afganistan (IS-K) ka lënë të vdekur 170 afganë dhe 13 trupa amerikane jashtë aeroportit të Kabulit.

Ushtria amerikane pati thënë atëbotë se ka pasur të dhëna kredibile se militantë të IS-K, kanë qenë duke planifikuar një tjetër sulm afër njerëzve që ishin mbledhur te aeroporti, me qëllim të ikjes pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

Një zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së ka thënë fillimisht se sulm me dron ka penguar një tjetër sulm të IS-K, mirëpo muajin e kaluar, Gjenerali amerikan Kenneth McKenzie, e ka pranuar se sulmi ka qenë gabim dhe ka kërkuar falje.

Shfaq më shumë
//chooxaur.com/4/3473483