Bota

ShBA-ja vendos sanksione shtesë ndaj Iranit

Shtetet e Bashkuara e kanë goditur Iranin me sanksione të reja që shënjestrojnë disa kompani, të cilat akuzohen për transportimin e armëve të shkatërrimit në masë nga Irani në Jemen.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, gjithashtu shprehu shpresën se një këmbim i të burgosurve gjatë fundjavës me Iranin, mund të çojë në një dialog midis Uashingtonit dhe Teheranit mbi të burgosurit.

Departamenti i Thesarit shpalli sanksione ndaj një rrjeti të transportit detar në pronësi të biznesmenit iranian, Abdolhossein Khedri, duke thënë se kompanitë janë përdorur nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, për të dërguar armë tek militantët shiit të Jemenit.

Tensionet janë rritur midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që kur presidenti amerikan, Donald Trump, vitin e kaluar, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Kjo marrëveshje i ofroi Iranit lehtësim nga sanksionet, në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor.

Trump dëshiron ta detyrojë Iranin të rinegociojë marrëveshjen, duke argumentuar se kushtet e paktit nuk ishin aq të vështira për të parandaluar Iranin të zhvillojë armë bërthamore.

Teherani gradualisht ka ulur disa nga angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes.

“Për sa kohë vazhdon sjellja malinje e Iranit, edhe fushata jonë e presionit do të vazhdojë”, tha sekretari amerikan Pompeo.