Kosova

ShBA-ja thërret Kosovën të heq taksën e Serbisë të ndalojë fushatën e lobimit kundër

Nga Beogradi, ShBA-ja ka bërë thirrjen e radhës për suspendimin e taksës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia.

Në një forum të sigurisë që po mbahet në kryeqytetin serb, David Kostelancik, zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se qeveria e ardhshme në Kosovë duhet ta vazhdojë dialogun.

“Prioritet strategjik për ShBA-në është arritja e marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova sapo doli nga zgjedhjet, ShBA-ja ka shprehur te liderët e të gjitha partive shpresën dhe pritjen se do të formojnë një qeveri pro-dialogut, të gatshme për ta suspenduar taksën e cila ka bllokuar procesin. ShBA gjithmonë do të qëndrojë në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës”, ka thënë David Kostelancik.

Në anën tjetër, Kostelancik i ka kërkuar edhe Serbisë që të ndalë kampanjën për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës dhe pengesat për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, pasi ka vlerësuar se ato po e dëmtojnë arritjen e rezultateve në dialog.

Edhe Gjermania mendon se një nga punët e para që qeveria e re duhet ta bëjë është angazhimi për vazhdimin e dialogut, derisa kërkon alternativa që i kontribuojnë rajonit e jo zgjidhje që i kthen palët prapa.

“Zgjidhja e qëndrueshme mes dy vendeve është shumë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e tërë rajonit. Ishte dashur shumë kurajë për të arritur marrëveshjen e vitit 2013, por ajo nuk mjafton dhe tani duhet edhe më shumë punë në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme”, ka thënë Susanne Schutz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe Shtetet e EFTA-s, Gjermani.

Catherine Ashton, e cila kishte qenë Përfaqësuese e Lartë e BE-së kur Serbia e Kosova kishin nisur dialogun, ka thënë se para 8 vjetësh nuk i kanë kërkuar Beogradit ta njohë Prishtinën, e as kësaj të fundit të bëjë kompromis për sovranitetin e saj.

Por, Ashton ka lënë të kuptohet se palët tani duhet të bëjnë diçka të tillë.

“Kemi dashur të ndërmarrin veprime që i bëjnë më të lehta jetët e njerëzve. Por, tani ka ardhur koha që të zgjidhen të gjitha çështjet, sa më shpejt për të mirën e këtyre vendeve. Liderët e të dyja vendet nuk duhet të presin veprime vetëm nga Brukseli, por t’i lëvizin edhe vetë gjërat përpara”, ka thënë Ashton.

Në këtë forum ku po diskutohet normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, ishte planifikuar të merrte pjesë edhe Matthew Palmer, derisa nuk është dhënë ndonjë arsye për mungesën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.