Bota

ShBA-ja shton akuzat kundër themeluesit të Wikileaks, Julian Assange

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara paraqitën akuza të reja penale kundër themeluesit të Wikileaks Julian Assange, duke e akuzuar atë për shkaktimin e dëmit të madh ndaj Shteteve të Bashkuara duke publikuar mijëra dokumente të klasifikuara.

Aktakuza e re me 18 pika, është ngritur nën Aktin e Spiunazhit, duke akuzuar Assange për udhëzimin e një analisti të zbulimit të Ushtrisë së ShBA-së për të nxjerr materiale të fshehta.

Rrjedhja e materialeve ishte një nga komprometimet më të mëdha të informacionit të fshehtë në historinë e SHBA-së.

Aktualisht Assange është në paraburgim në Londër pasi u arrestua në muajin prill në Ambasadën e Ekuadorit, ku ai ishte fshehur për disa vjet.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ekstradimin e tij.

“Asnjë aktor i përgjegjshëm, gazetar apo tjetër, nuk do të publikonte me qëllim emrat e individëve që ai ose ajo e dinte të ishin burime konfidenciale, duke i ekspozuar ato ndaj rreziqeve të mëdha”, tha në një deklaratë Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm John Demers.

Akuzat e reja në bazë të ligjit të spiunazhit shkojnë përtej akuzës fillestare të bërë publike muajin e kaluar. Ajo e akuzoi atë për komplot me analisten e ushtrisë, Chelsea Manning.

Materialet e klasifikuara, të publikuara nga Wikileaks, përfshinin emrat e njerëzve që ndihmuan forcat amerikane në Irak dhe Afganistan dhe diplomatë të ShBA.