Bota

ShBA-ja pritet të ndalojë fluturimet e pasagjerëve nga Kina

Shtetet e Bashkuara pritet të ndalojnë fluturimet për pasagjerë nga Kina prej 16 qershorit, duke shënuar kështu hapin e fundit të rritjes së tensioneve në mes të dy ekonomive gjigante.

Departamenti i Transportit ka thënë se është duke ndëshkuar Pekinin që nuk ka lejuar realizimin e fluturimeve amerikane në Kinë, pas pandemisë me koronavirusin e ri.

Në javët e fundit, të dyja këto shtete kanë shprehur mospajtime në çështjen e pandemisë si dhe rreth politikave të Kinës në Hong Kong.

Mirëpo Uashingtoni ka thënë se do të vazhdojë të “angazhohet” në çështjen e udhëtimit ajror.

Urdhri i Departamentit amerikan të Transportit do të zbatohet për katër linja ajrore: Air China, China Eastern Airlines, China Southern Airlines dhe Hainan Airlines.

Për t’u zbatuar, këtë vendim duhet ta miratojë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, i cili vazhdimisht ka akuzuar Kinën për praktika të padrejta tregtare, derisa në javët e fundit ka kritikuar këtë shtet edhe për menaxhimin e krizës me koronavirus, si dhe protestat në Hong Kong.

Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar këtë vendim.

Pekini ka thënë në të kaluarën se kundërshton cilindo vendim që lidhet me kufizime të udhëtimit ajror.