SHËNDETËSIA

ShBA-ja ndan 274 milionë dollarë për 64 vendet më të prekura me COVID-19, ambasada e quan ‘lajm të mirë për Kosovën’

Qeveria amerikane njofton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ndarë 274 milionë dollarë për 64 shtete të botës që janë më të prekura nga koronavirusi COVID-19.

Ambasada amerikane në Kosovë, thotë se ky është një lajm i mirë edhe për Kosovën.

Sekretari i shtetit, Michael Pompeo, thekson se qeveria amerikane është mobilizuar me shpejtësi t për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19, brenda dhe jashtë vendit.

“Sot, unë jam i lumtur t’ju njoftoj se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion afro 274 milionë dollarë në fonde të shëndetit urgjent dhe humanitar. Së bashku me sektorin privat të SHBA-së, populli amerikan vazhdon të prijë duke iu përgjigjur kësaj pandemie”, thuhet në njoftim, përcjell Koha.

Tutje, thuhet se 274 milionë dollarët do të sigurojnë resurse për 64 shtetet që janë më së shumti në rrezik, që ta përballojnë sa më mirë pandeminë.

“Gjithashtu, do t’ia mundësojmë Komisionarit të Lartë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara të ndihmojë popujt më të prekur”, thuhet në kumtesë.

Megjithëse nuk theksohen në kumtesë se për cilat vende bëhet fjalë, Ambasada amerikane në Prishtinë, në rrjetin social Facebook e ka shpërndarë këtë komunikatë duke shkruar “lajm i mirë për Kosovën dhe luftën e saj ndaj virusit COVID-19”.