Kosova

ShBA-ja mbetet e hapur për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë

ShBA-ja ka refuzuar të hedhë poshtë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht kundërshtimit gjerman për këtë ide.

“U takon palëve që të përcaktojnë parametrat e dialogut”, ka thënë të hënën i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, për “EUobserver” kur është pyetur rreth këtij plani kontrovers.

“Ajo që ne mbështesim është që palët të gjejnë një mënyrë për t’u kthyer në tavolinën e negociatave, t’i vendosin çështjet që i shqetësojnë në tavolinën e negociatave, dhe të gjejnë rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre, dhe idealja do të ishte njohja e ndërsjellë si qëllim”, shtoi ai, transmeton Koha.net.

“Do të donim të shihnim njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës si rezultat i procesit [negociator]”, tha poashtu ai.

Palmer refuzoi të përgjigjet në pyetjet tjera rreth asaj nëse qëndrimi i SHBA-së është në kundërshtim me atë të Gjermanisë, e cila ka thënë se shkëmbimi i territoreve do të destabilizonte rajonin.

Ideja që Serbia do të merrte pjesët me shumicë serbe të veriut të Kosovës dhe në këmbim t’i jepte Kosovës zonën me shumicë shqiptare të quajtur Lugina e Preshevës, së pari u shpërfaq në mesin e vitit 2018 në bisedimet mes presidentit serb, Alleksandar Vuçiq dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Politika e ShBA-së është se nëse dy palët mund të arrijnë të dakordohen mes vete dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë edhe përmirësimet kufitare”, kishte thënë atëherë Këshilltari i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton.

Institucionet e BE-së i dhanë jehonë Boltonit, ndonëse Gjermania, protagonisti kryesor i BE-së në Ballkanin Perëndimor, tha se ideja do të mund të shkaktonte fërkime në rajon ku ndryshimi i kufijve në vija etnike çoi në luftëra 20 vjet më parë.

“Integriteti territorial i shteteve në Ballkanin Perëndimor… është i pacenueshëm”, kishte thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel, atë kohë.

Por plani i shkëmbimit të territoreve ka mbetur ende në qarqet amerikane. I dërguari special i ShBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, vazhdon të promovojë idenë e një “marrëveshjeje të shpejtë” për njohje.