Kosova

ShBA-ja kritikon BE-në se nuk po flet me një zë për dialogun Kosovë-Serbi

Mungesa e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian, si dhe jostabiliteti politik në Kosovë, po vonojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Por përfaqësues të lartë të BE-së dhe ShBA-së gjatë një debati online, organizuar nga Asociacioni i Evropës Juglindore kanë dhënë argumente të ndryshme rreth përçarjes transatlantike. Debati është organizuar sipas rregullave Chatham, sipas të cilave nuk lejohet publikimi i emrave të pjesëmarrësve, por vetëm diskutimet e tyre.

Zyrtari i lartë i SHBA-së i pranishëm në debat ka kritikuar BE-në se nuk flet me një zë kur është fjala për dialogun Kosovë-Serbi. E problemin mes dy vendeve ai e ka përshkruar si vrimë e zezë që vështirë dilet prej saj.

“Nuk është ndarje vetëm BE-ShBA. Vetë Bashkimi Evropian ka folur me zëra të ndryshëm që jo çdo herë janë të njëjtë. E dimë se kemi të bëjmë me një proces të vështirë, por është me rëndësi që të mos ketë boshllëqe brenda hapësirës evropiane”, ka thënë ai. “Megjithëkëtë, Ballkani është shumë më i madh sa të kufizohet në dinamikën Kosovë-Serbi. Mendoj se Kosova dhe Serbia janë çështje me rëndësi për Ballkanin Perëndimor. Por është gabim të definohet bashkëpunimi transatlantik vetëm mes këtyre dy vendeve”.

Ndërkaq, Gjermania vazhdon të insistojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që mundëson njohjen e ndërsjellë.

Zyrtarja e Bundestagut ka thënë se palët nuk duhet të vendosen në situatën që të zgjedhin Shtetet e Bashkuara apo Bashkimin Evropian.

“Shumë kosovarë na thonë mos kërkoni të zgjedhim mes BE-së dhe ShBA-së. Çështja e stabilitetit është brengë edhe për ne. Ka shumë për t’u bërë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ne jemi të gatshëm të ndihmojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila në fund mundëson njohjen e ndërsjellë”, ka theksuar ajo.

Ndërkaq një deputete e Parlamentit Evropian, e cila i njeh problemet e Ballkanit, ka thënë se dialogu duhet të vendoset në binarë pas një periudhe të vështirë kur nuk dihej se për çka po negocionin palët. Ajo ka kritikuar edhe Serbinë se po luan me dy karta.

“Procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga BE-ja. Qasja e Mogherinit ishte kthim prapa. Ne nuk e dimë se çka ishte diskutuar. Por edhe ShBA-ja nëse e harron rajonin- Kina, Rusia dhe Turqia do ta marrin rolin e saj dhe të BE-së po ashtu”, ka thënë eurodeputetja.

“Aleksandër Vuçiqi po tregohet i shkathët që t’i marrë benefitet prej BE-së, por të njëjtën kohë të largohet prej saj duke ruajtur lidhjet e afërta me Putinin. Për këtë, Merkel dhe Macron nuk e kanë kritikuar asnjëherë hapur Vuçiqin”, ka thënë ajo.

Deputetja ka përmendur edhe krizat e njëpasnjëshme në Kosovë, që sipas saj nisën prej marsit kur u rrëzua Qeveria Kurti.

“Nepotizmi në institucione dhe ndërmarrje të pavarura është prezent. Kemi parë sistemin shëndetësor që është ekstremisht i dobët në Kosovë”, ka theksuar ajo.

Pjesë e debatit ishte edhe një deputet i Bundestagut. Ai ka thënë se në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht në Prishtinë “ka shumë jostabilitet politik vitet e fundit, përfshirë edhe krizat kushtetuese”.

“Qeveria Hoti është shumë fragjile dhe kjo ia vështirëson punën emisarit Miroslav Lajçak për t’i çuar palët drejt zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai.

Sipas deputetit gjerman, krahas dialogut BE-ja duhet të kërkojë prej Kosovës më shumë angazhim në forcimin e demokracisë, si dhe në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.