Rajoni

ShBA-ja e zhgënjyer me bllokadën bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut

Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me bllokadën që Bullgaria po i bën integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, tha ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Kate Byrnes.

Në një intervistë për Televizionin Telma në Maqedoninë e Veriut, ajo tha se mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të zgjidhen jashtë procesit të integrimit dhe vuri në dukje se Uashingtoni e kishte bërë shumë të qartë se dëshironte të shihte mbajtjen e një konference ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, deri në fund të këtij viti.

“Ne e shohim anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE si një interes të përbashkët”, tha Byrnes.

Bullgaria ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi kërkon që Shkupi të pranojë se si identiteti, ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, ka thënë ditë më parë, në një intervistë për televizionin austriak ORF, se kërkesat bullgare janë “përtej mendjes së shëndoshë”.

Maqedonia e Veriut mbetet në qëndrimin se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore që përbëhet nga pjesë të kulturës dhe identitetit kombëtar të vendit.

Zyrtarët maqedonas kanë thënë se për çështjet e identitetit nuk do të pranojnë asnjëherë të bisedojnë me Bullgarinë.