Bota

ShBA: Gjykata hedh poshtë padinë ndaj ligjit për kujdesin shëndetësor

Gjykata Supreme në ShBA ka hedhur poshtë një padi nga Teksasi dhe 17 shtete të tjera të qeverisura nga republikanët, kundër ligjit i cili synon të sigurojë sigurim shëndetësor të përballueshëm për të gjithë amerikanët.

Ligji ishte nënshkruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Ligji u mundësoi qasje në sigurimet mjekësore miliona amerikanëve me të ardhura të ulëta.

Anëtarët e gjykatës, votuan 7-2 në favor që ligji të mbetet i pandryshuar.

Në vendim gjyqtarët thanë se parashtruesit e lëndës nuk kishin bazë ligjore për të paditur, dhe si të tillë nuk adresuan pyetjen nëse një dispozitë në ligj ishte antikushtetuese.

Kjo sfidë ligjore u mbështet nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili kur u zgjodh më 2016, kishte premtuar shfuqizimin e ligjit.

Në shumë raste, republikanët u përpoqën ta përmbysin ligjin në Kongres, kur kishin nën kontroll të dyja dhomat e tij, dhe në gjykata, por dështuan.

Në fillim të muajit qershor, Shtëpia e Bardhë tha se Akti i Përballueshëm për Kujdes, që njihet si Obamacare, kishte mundësuar që një rekord prej 31 milionë amerikanë të siguronin kujdes shëndetësor.