Kosova

Shasha: Ikja e heshtur – ulëritje e qytetarëve për çlirim nga tendencat autokratike

Protestat e zëshme në mbarë Ballkanin dhe braktisja e heshtur e Kosovës kanë një të përbashkët – ulëritjen e qytetarëve për çlirim nga tendencat autokratike të skenës politike, të cilat kanë humbur shpresën e qytetarëve për një jetë më të mirë.

Kështu ka thënë në intervistën e javës Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane (EPIK). Në rastin e Kosovës, sipas tij, ka pakënaqësi të mëdha të qytetarëve ndaj zhvillimeve shoqërore përgjatë dy dekadave të fundit, shkruan sot Koha Ditore.

“Në vend të ndërtimit të demokracisë liberale, me aktorët progresivë shoqëror, të bazuar në ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, është instaluar një klientokraci, ku skena politike kap institucionet publike dhe monopolizon sektorin privat për qëllim të vetëm të mbetjes në pushtet”, ka thënë Shasha, i cili ka 11 vjet shërbim publik në fushën e integrimit evropian.

Në gjithë këtë mes, ai thotë se, qytetarët e pafuqishëm kanë dy opsione – të ngrihen kundër tij apo të largohen nga vendi. Përderisa në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi e Bosnjë ka ngritje të revoltës qytetare, “në Kosovë shohim dorëzimin e qytetarëve para realitetit të krijuar dhe zbrazjen e vendit”.

Ndryshimi i trendit të migrimit

KD: Raportet e fundit, përfshirë atë të Institutit EPIK, kanë trajtuar zhvillimet në lidhje me numrin e kërkesave të azilit në Bashkimin Evropian. Cili është trendi i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e BE-së?

Shasha: Fillimisht duhet theksuar se, bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it, në vitin 2018 është evidentuar vazhdimi i trendit të rënies së azilkërkuesve në Bashkimin Evropian. Në vitin 2018, në BE janë regjistruar 638 mijë azilkërkues që aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të BE-së.

Kjo ishte 10 për qind më pak se në vitin 2017 (712 mijë) dhe pak më shumë se gjysma e azilkërkuesve të regjistruar në vitin 2016, kur u regjistruan rreth 1.3 milionë azilkërkues.