EKONOMI

Shala: Prodhuesit e tjerë vendës të ndjekin shembullin e kompanisë “Meka”

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot, takoi drejtorin e kompanisë “Meka” në Dragash, Burim Pirajn, me të cilin diskutuan për mbështetjen e prodhimeve vendore, në mënyrë që ato të certifikohen dhe të bëhen konkurrente duke i eksportuar edhe jashtë vendit.

Ai me këtë rast theksoi se kjo kompani trajton punëtorët jashtëzakonisht mirë duke iu dhënë atyre edhe pagën e 13-të dhe 14-të, derisa ka bërë thirrje që edhe prodhuesit e tjerë vendës të ndjekin këtë shembull.

“Sot me kënaqësi kam vizituar një kompani e cila merret prodhimin e produkteve të mishit. Kompani e cila i mbushë të gjitha standardet e Bashkimit Evropian në lëmin në të cilën prodhon dhe të njëjtën kohë pronarit të kompanisë t’ia transmetoj vullnetin tim si ministër, por edhe të qeverisë së Kosovës dhe fokusin tonë për ndihmë për kompanitë të cilët me rritjen e prodhimit të tyre ndihmojnë zhvillimin ekonomik”, tha ministri Shala.

Ministri Shala po ashtu ka ndarë mirënjohje për këtë kompani për shkak të ndikimit në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit. “Njëkohësisht e njoftova z.Piraj për mundësitë që i ofron MTI-ja për t’i ndihmuar ata që t’i certifikojnë produktet në mënyrë që prodhimet tona t’i plotësojnë standardet që kërkohen në BE dhe të kenë më lehtë t’i eksportojnë produktet në shtetet të jashtme”, u shpreh Shala.

Ndërsa, drejtori i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe ka pasur rritje në kompaninë “Meka”, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të punëtorëve.

“Faleminderit për vizitën tuaj, ne kemi parë hapa konkrete dhe ju falënderoj për hapat që i keni marrë në vendosjen e flamujve pranë produkteve në mënyrë që konsumatori të jetë i informuar për kualitetin e produktit. Ju përgëzoj edhe për vendosjen e taksës edhe pse është politike, por ka pasur ndikim të konsiderueshëm në rritjen e kompanive. Ne, që nga aplikimi i taksës kemi marrë punëtorë të rinj pasi dhe kemi mundësi më të madhe në treg. Ju falënderoj e edhe një herë për përkrahje të prodhimeve vendore”, deklaroi Piraj.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe ministri Endrit Shala do të vazhdojnë mbështetjen ndaj bizneseve vendore për të rritur prodhimet  dhe cilësinë e produkteve vendore, që ka ndikim në krijimin e vendeve te reja të punës dhe në zhvillimin e ekonomik të vendit. /Kosova.info/