Kosova

Shala nga Nisma Socialdemokrate thotë se subjekti i tij pret që Kushtetuesja t’i hapë rrugë formimit të Qeverisë Hoti

Nisma Socialdemokrate pret që Gjykata Kushtetuese t’i hapë rrugë formimit të Qeverisë së re nga mandatari Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë për Telegrafin se presin që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, brenda dy apo tri ditëve të formohen institucionet e Kosovës.

“Ne nga Kushtetuesja nuk presim asgjë tjetër përveç asaj që është e shkruar në Kushtetutë. Presim që sa më shpejtë të del vendimi, sot apo nesër kjo çështje duhet të përfundojë dhe besoj që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese brenda dy tri ditëve duhet të formohen institucionet e Republikës së Kosovës, pra të formohet Qeveria”, ka thënë ai për Telegrafin.

Shala tha se beson që mandatari Avdullah Hoti i ka të siguruar votat për formimin e Qeverisë.

“Besoj që zotëri Hoti ka punuar me partnerët e Qeverisë edhe ai e dinë më së miri, pra nuk besoj se ai mund ta merr mandatin pa i pasur numrat, sepse nuk është mirë të bëhet lojë me qytetarët”, deklaroi ai.

Ndryshe, sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje që kanë arritur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kjo e fundit do të merr postin e zëvendëskryeministrit në të cilën është propozuar Fatmir Limaj, dhe po ashtu Nisma pritet të udhëheq Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. /Telegrafi/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.