EKONOMI

Shahini: Nuk kemi nevojë për masa shtrënguese

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se Qeveria në detyrë e ka përmbushur kërkesën e tyre për t’i ndryshuar masat kufizuese, të cilat janë vendosur si pasojë e parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Shahini në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se bllokimi i vendit vitin e kaluar ka lënë dëme të mëdha në bizneset dhe ekonominë e vendit.

“Ndërrimi i masave të kufizimit është një kërkesë e jona, e cila është plotësuar nga Qeveria në detyrë. Ky institucion ka pranuar më shumë se 14 kërkesa për normalizim të situatës në vend, duke përfshirë këtu edhe largimin e kufizimeve”.

“Kufizimet ishin një humbje e madhe për ekonominë, ndikim po ashtu ka lënë edhe bllokimi disa muajsh gjatë vitit 2020. Në analizat që kemi bërë ne si AKB ka dalë se duhen deri dy vite për tu kthyer vendi në gjendjen që ishte si më herët”.

“Kufizimet e vendosura nuk ishin në përputhje me gjendjen në teren, ne patëm apeluar tek kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, që të vendos masa të tjera. Po ashtu, edhe tek qeveria e tanishme kemi bërë të njëjtat kërkesa që të ndryshojnë masat”.

Shahini ka theksuar se mendojnë që vendi nuk duhet të ketë masa shtrënguese për menaxhimin e situatës të shkaktuar nga koronavirusi.

“Ne mendojmë se me një shifër kaq të ulët të të prekurve nga koronavirusi, nuk kemi nevojë për masa shtrënguese. Qeveria e vendit kur nuk ka mundësi të mbështes bizneset , nuk mund ta ndalojë lëvizjen e tyre”.

“Nëse i shikojmë masat e vendosura nga vendet tjera ato janë në përputhje me situatën. Kjo për shkak se atje ka edhe masa lehtësuese ku qytetarëve iu paguhen pagat dhe bizneseve shpenzimet administrative. Ndërsa, tek ne nuk ka mundësi për masa të tilla shtrënguese, nuk ka fonde që t’iu jepen qytetarëve”.

“Ne duhet të mësohemi të jetojmë me këtë virus, ne nuk duam që të jemi në situatë ku do të jetë e bllokuar çdo gjë. Viti 2020, është viti që janë mbyllur më së shumti biznese që nga paslufta”, ka thënë Shahini.